Për shumë është liga më e fortë në Europë dhe botë. Premier League është si futbolli italian në vitet ’80 dhe ’90. Është logjike të presësh dominimin e skuadrave të saj edhe në Kupat e Europës, por ndeshjet e para 1/8 finale të Ligës së Kampionëve thanë diçka tjetër.
Chelsea i mposhtur në Dortmund nga Borussia, Tottenham i mundur në “San Siro” nga kuqezinjtë, Liverpool i poshtëruar në “Anfield” nga Real Madridi dhe Manchester City është kthyer me një pikë nga Leipzig.
Pa dyshim që, edhe nëse do të ishte një mrekulli për Liverpool-in, ato të gjithë mund të kualifikohen në ndeshjet e kthimit. Ekuilibri i deritanishëm, megjithatë, mund të na bëjë vetëm të reflektojmë.
Dikush kishte alibinë e mungesave në mesfushë (Tottenham), të tjerë e gjetën veten duke bërë “bukën e gojës” me një skuadër të pafund, të fryrë më tej nga merkato e janarit (Chelsea), ndërsa ka nga ata që arrijnë të komplikojnë jetën e tyre pas ndeshjeve dhe rasteve të vështira (City). Nga ana tjetër, është e vështirë të gjesh justifikime për sezonin e falimentimit të skuadrës së Klopp.
Një edicion i çuditshëm, ai i Champions League të këtij viti. Spanjollët u eliminuan të gjithë në fazën e grupeve, përveç kampionëve në fuqi të Real Madridit. PSG e gjeti veten përballë Bayernit që në 1/8 finale. Edhe nëse mund ta përmbysë humbjen minimale në ndeshjen e kthimit, do të vuajë mungesën e Neymar, pas lëndimit në kyçin e këmbës.
Me Eintracht të eliminuar dhe Dortmundin që po lufton me Chelsean për një vend në çerekfinale, vetëm skuadra e Nagelsmann mes gjermanëve mund të jetë mjaft optimiste për të ardhmen në Champions, duke shkuar në finale e Stambollit. Në këtë pikë nuk mund të mos ndajmë idenë e atyre që mendojnë se Bayerni, City dhe Reali janë favoritët e mëdhenj të këtij edicioni.
Me një “outsider”, që nuk është aq i tillë, nëse vlerësoni personalitetin e Napolit të Spallettit: 7 ndeshje, 6 fitore deri më tani, 22 gola të shënuar dhe 6 të pësuar. Napoli, në këtë pikë, mund të besonte vërtet.