Kryesore “Charles McGonigal e rrëzoi lakmia”, Le Monde: Rënia dramatike e një agjenti...

“Charles McGonigal e rrëzoi lakmia”, Le Monde: Rënia dramatike e një agjenti të FBI

Skandali i ish-agjentit të FBI-së Charles McGonigal, i cili akuzohet për bashkëpunimin me një oligark rus, vijon të ketë jehonë në median ndërkombëtare.

Edhe e përditshmja prestigjioze franceze ‘Le Monde’ ka raportuar në lidhje me skandalin që ka përfshirë ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, Charles McGonigal.

‘Le Monde’ shkruan se si një zyrtar i lartë i FBI, theu sanksionet e SHBA dhe bashkëpunoi me një miliarder rus, ndërsa thekson që në krye të shkrimit se “lakmia e Charles McGonigal ishte edhe rënia e tij”

“Niveli i informacionit sensitiv në të cilin kishte akses McGonigal dhe dyshimet mbi të në dy hetime të veçanta i ka dhënë rrugëtimit të tij drejt kësaj situate një dimension të jashtëzakonshëm”, shkruhet në artikull.

Gazeta ka cituar edhe zëvendësdrejtorin e zyrës së FBI-së në Nju Jork, Michael Driscoll,i cili ka folur si Oligarkët rusë si Oleg Deripaska kryejnë ndikim malinj global në emër të Kremlinit dhe janë të lidhur me akte ryshfeti, zhvatjeje dhe dhune.

Deripaska ka qenë në listën e rusëve nën sanksionet e SHBA-së që nga viti 2018.

Agjenti special McGonigal, 54 vjeç, ka punuar për FBI-në midis 1996 dhe 2018. Gjatë dy viteve të fundit, ai ishte në krye të divizionit të kundërzbulimit në zyrën e Nju Jorkut. Në këtë cilësi, ai “mbikëqyri dhe mori pjesë në hetimet e oligarkëve rusë, përfshirë miliarderin Deripaska”.

Ndërkohë, sipas akt-akuzës, ish zyrtari i FBI-së rezulton të ketë marrë një shumë prej 225 mijë dollarësh nga shqiptaro-amerikani Agron Neza. Kishte qenë vetë McGonigal që në gusht dhe më pas në shtator të vitit 2017 i kishte kërkuar Nezës nëse mund t’i siguronte një sasi parash, të cilat ky i fundit ia dha përgjatë vjeshtës së atij viti në tre episode të ndryshme.

Por përveç Nezës, në akt-akuzë shfaqen dhe lidhje të tjera të ish zyrtarit të FBI-së me personazhe të tjerë nga Shqipëria, ku ai realizoi disa vizita, gjatë së cilave zhvilloi dhe takime me kryeministrin Rama. Së bashku ata u takuan më pas dhe në New York. “Interesi im ka qenë që të shkëmbej biseda e opinione lidhur me ato fusha u sigurisht ai ishte një ekspert i nivelit të lartë, krimi korrupsioni, pastaj Amerika, Ballkani Shqipëria, asnjë lloj marrëdhënie tjetër”, deklaroi të mërkurën në mbrëmje kryeministri Edi Rama.

Duke folur me gazetarët pas një takimi pune në selinë e Partisë socialiste, Rama deklaroi se “në aktpadinë konkluzive nuk ka absolutisht asnjë gjë që të lidhet me mua dhe me qeverinë e Republikës së Shqipërisë, përveç faktit që jemi takuar këtu e atje. Drejtësia amerikane ka hetuar plotësisht dhe ka ngritur akuzë ndaj personit, për konflikt interesi për një borxh të marrë nga shoku i tij shqiptaro-amerikan nga Tropoja, që jetojnë bashkë në New York”.