Raportet sekrete të Mourinho-s për lojtarët e Barcelonës: Ronaldinjo një mashtrues, Messi i mrekullueshëm, bëjini faulle sa më shpejt të jetë e mundur
Si mund të ndalet Leo Messi? Trajnerë në të gjithë botën kanë dështuar për të gjetur një përgjigje më të mirë se ajo e Jose Mourinho-s në 2006-ën, kur portugezi drejtonte Chelsea-n.
Shtypi anglez ka zbuluar planin e përgatitur nga ai dhe stafi i tij para ndeshjes së 1/8-ave të Champions League të luajtur kundër Barcelona-s në sezonin 2005/06. “Special One” i ka bërë një analizë të detajuar të spanjollëve.
Mou i ka thënë “The Sun” se ai nuk i ka shkruar vetë shënimet. “E kam ndarë me kolegët e tjerë përgjegjësinë për të analizuar dhe përgatitur dokumentacionin në lidhje me kundërshtarin. Raportet zyrtare janë bërë gjithmonë nga analistët, ndihmësit dhe teknikët e kompjuterëve, por kurrë nga unë”, ka shpjeguar Mourinho.
Raporti vë në dukje dobësitë e mundshme të katalanasve që mund të shfrytëzoheshin nga londinezët, duke përfshirë “agresivin Puyol”, i cili “nuk di të pozicionohet” dhe “zemërohet kur arbitri jep faulle kundër tij dhe kur provokohet”. Ndërkohë, shoku i tij i repartit, Oleguer, “është i dobët në mbrojtje, nuk është i shpejtë… ideal për t’u vënë nën presion”.
Po Messi? Shënimet thonë “Bëjini faulle. Është e rëndësishme që të bëhen jashtë zonës së rreptësisë dhe sa më shpejt të jetë e mundur. I mrekullueshëm 1 kundër 1″.
Këto udhëzime janë vënë në praktikë nga të gjithë lojtarët e Chelsea-t, veçanërisht nga Asier del Horno, i cili u ndëshkua me karton të kuq pas 36 minutash lojë për një ndërhyrje të ashpër ndaj argjentinasit.
Raporti shpjegon edhe sa e rëndësishme është “të kontrollohet presioni i madh që ata krijojnë ndaj arbitrit dhe anësorit (është shumë i rëndësishëm edhe presioni ynë)”.
Gjithsesi, siç ka ndodhur gjatë pjesës më të madhe të karrierës së tij, Messi nuk është nxjerrë jashtë loje dhe ka bërë një paraqitje të mrekullueshme në fitoren 2-1 të marrë nga katalanasit në ndeshjen e parë të 1/8-ave të luajtur në “Stamford Bridge”.
Në shënime lexohet se Messi “ka cilësi+shpejtësi, por është shumë mëngjarash. Ka shumë liri dhe shpesh krijon një superioritet numerik 2 kundër 1 me Ronaldinho-n. Ai preferon ta marrë topin në fillimin e aksionit dhe i lidh dy fazat e lojës duke përparuar me topin në këmbë”.
Ronaldinho, ndërkohë, nuk është respektuar kaq shumë nga analiza e bërë para ndeshjes. “Shumë i rrezikshëm mes reparteve. Shumë i dobët në fazën mbrojtëse – duhet shfrytëzuar. Një mashtrues i rregullt – hidhet vazhdimisht”.
Xavi nuk ishte në dispozicion për Barcelonën, kështu që Mourinho priste një ndryshim në stilin e lojës së katalanasve. “Me Xavin jashtë, momentet e zotërimit të tyre të topit dhe të presingut janë shumë më të shkurtra”.
Gjithashtu, Mourinho ka marrë informacione të sakta se Andres Iniesta do të aktivizohej nga stoli. “Një lojtar shumë dinamik me një rreze të jashtëzakonshme veprimi, i shpejtë në lëvizje dhe ekzekutim. Gjithmonë aktivizohet nga stoli. Lojtar problematik”. Iniesta u aktivizua në vend të Deco-s në minutën e 84-t, kur Barcelona po fitonte 2-1.
Chelsea, pavarësisht inferioritetit numerik pas daljes me të kuq të Del Horno-s, kaloi në avantazh në minutën e 59-të pas një autogoli të Thiago Motta-s. Megjithatë, kapiteni John Terry bëri të njëjtën gjë, duke i dhuruar barazimin spanjollëve para se Samuel Eto’o të realizonte golin e fitores në minutën e 80-të.
“Shpërthyes dhe agresiv, me ose pa topin“, lexohet në shënimet e Mourinho-s për sulmuesin kamerunas. “Ndjek, beson dhe luan me një ritëm të lartë gjatë gjithë ndeshjes. Shumë i fortë edhe në fazën mbrojtëse”.
Chelsea barazoi 1-1 kundër Barcelona-s në ndeshjen e kthimit, me Ronaldinho-n që ka shënuar golin e parë, ndërsa Frank Lampard ka barazuar për anglezët me penallti.
Barcelona e fitoi Champions League në atë sezon pasi mundur 2-1 Arsenal-in në finale.