Chelsea është gati për të blerë përfundimisht kartonin e Gonzalo Higuainit, por kërkon që Juventusi t’i bëjë ulje në çmim. E zbulon ESPN, që shpjegon më tej se drejtuesit e bluve të Londrës kanë shumë besim se do të gjendet gjuha e parbashkët me homologët bardhezinj.
Çmimi i vendosur mes palëve, për blerjen e “El Pipitas”, i cili mbërriti në Stamford Bridge pas gjashtë muajve të kaluar si kuqezi te Milani, është 36 milionë euro.
Chelsea tashmë i ka kaluar 9 milionë euro në arkën e kampionëve të Serisë A për huazimin në këtë sezon, por duhet të derdhë edhe 18 milionë euro të tjera për huazimin sezonin pasardhës.
Kuptohet që në vendimin përfundimtar mund të influencojë edhe e ardhmja e trajnerit italian Maurizio Sarri, që e kërkoi me ngulm argjentinasin në Londër.
Pozicioni i teknikut pas rezultateve të fundit është vënë në dyshim dhe përcaktuese do të jenë ndeshjet e ardhshme, ku spikatin përballjet me Manchester United në FA Cup, me Manchester City-n në Kupën e Ligës dhe në fund ajo me Tottenhamin në Premier League (para takimit të kthimit me Malmo). Një kalendar vërtet i çmendur dhe i vështirë për të kthyer besimin te drejtuesit.
Nëse Sarri shkarkohet, drejtimin e Chelsea-t pritet ta marrë Zinedine Zidane, që vlerësohet shumë nga presidenti Roman Abramovich për sukseset që ka arritur në krye të Realit të Madridit.