Në vitin 2017, shërbimet sekrete të Shteteve të Bashkuara nxorën me sukses nga Rusia një nga spiunët kryesorë të tyre në radhët e qeverisë ruse. Lajmi është bërë i ditur nga CNN që citon burime të shumta pranë administratës amerikane, të informuara mbi operacionin.
Sipas një prej burimeve, tërheqja e burimit rus të informacioneve u vendos pjesërisht për shkak të keqmenaxhimit që presidenti Donald Trump dhe stafi i tij u bënin informacioneve të klasifikuara, që mund të ekspozonin asetin e CIA-s.
Gjithashtu, vendimi për të nxjerrë burimin nga Moska u mor fare pak kohë pas takimit të zhvilluar në maj të 2017-s në dhomën Ovale mes presidentit Trump dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, me të cilin kreu amerikan i shtetit ndau të dhëna të klasifikuara nga fusha e inteligjencës.
Informimi i palës ruse mbi këto të dhëna, edhe pse jo në mënyrë specifike për spiunin rus, nxiti krerët e inteligjencës amerikane të organizonin operacionin. Asokohe, drejtori i CIA-s Majk Pompeo u tha disa anëtarëve të rëndësishëm të administratës Trump se po zbulonin shumë informacione të klasifikuara, një pjesë e të cilave filluan të qarkullonin edhe në media.
Kjo e bëri edhe më emergjent operacionin për shpëtimin e spiunit, i cili u nxorr nga Moska nga një grup agjentësh të CIA-s. I pyetur nga CNN, një zëdhënës i sekretarit amerikan të Shtetit, Majk Pompeo refuzoi të komentonte. Ndërsa një sekretare e Shtëpisë së Bardhë ka deklaruar se, informacioni i CNN jo vetëm që nuk është i vërtetë, por vë në rrezik jetët e njerëzve.