Shefi i CIA-s, William Burns, reagoi për herë të parë në lidhje me rebelimin e grupit të mercenarëve Wagner ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, i cili sipas tij tregoi në një farë mënyre dëmin që lideri i Kremlinit i ka bërë vendit të tij me agresionin ndaj Ukrainës.
“Është e habitshme që Prigozhini i parapriu veprimeve të tij me akuza të ashpra mbi arsyetimin e rremë të Kremlinit lidhur me agresionin në Ukrainë dhe për mënyrën e drejtimit të luftës nga udhëheqja ushtarake ruse. Këto fjalë dhe veprime do të kenë ndikim për disa kohë, një kujtesë e gjallë e efektit gërryes të luftës së Putinit në shoqërinë dhe regjimin e tij”, tha Burns.
Burns, i cili më herët ka shërbyer si ambasador i SHBA-së në Rusi, e cilësoi rebelimin e Prigozhinit si një sfidë të armatosur ndaj shtetit rus, por mohoi rolin e Amerikës në të.
Nga ana tjetër, Burns shprehet se lufta kishte qenë një dështim strategjik për Rusinë, duke nxjerrë në pah dobësinë e saj ushtarake dhe dëmtuar ekonominë ruse për vitet që vinë.
“Pakënaqësia ndaj luftës do të vazhdojë ta gërryejë udhëheqjen ruse nën petkun e propagandës shtetërore dhe represionit”, përfundoi Burns.