Mediat italiane raportojnë se Elona Kalesha, 37-vjeçarja shqiptare e akuzuar për vrasjen e Shpëtim dhe Teuta Pashos, bashkatdhetarë të saj dhe prindër të ish-të dashurit të saj Taulant Pasho, do të gjykohet nga Gjykata e Firences për vrasje të dyfishtë, fshehje dhe përçmim të kufomave. Bashkëshortët u zhdukën në tetor 2015 dhe trupat e tyre, të copëtuar, u gjetën në dhjetor 2020 në valixhe të braktisura. Seanca e parë do të mbahet më 15 shkurt 2022.
Zhdukja e bashkëshortëve Pasho, të cilët mbërritën në Itali për të takuar djalin e tyre Taulantin, i cili do të dilte nga burgu i Firences mëngjesin e 2 nëntorit 2015, është denoncuar nga vajza e çiftit, Vitore, te karabinierët e Castelfiorentino në Firence.
Sipas hetuesve, vrasja e dyfishtë ka ndodhur ndoshta mbrëmjen e para daljes së Taulantit nga burgu, në banesën në Firence, në via Fontana, të cilën Elona e kishte marrë me qira për prindërit e të dashurit të saj. Sipas akuzës, 37-vjeçarja dyshohet se ka vrarë çiftin për t’i penguar ata të zbulonin se ajo kishte abortuar një fëmijë të ngjizur kur i dashuri i saj ishte në burg.