Një grup çiklistësh italianë përshkuan 1300 kilometra për të falënderuar mjekët dhe infermierët shqiptarë që mbërritën në Itali në fundmars, gjatë urgjencës së Covid-19. Ambasadorja shqiptare në Itali, Anila Bitri Lani dhe koordinatori i komitetit tekniko-shkencor të qeverisë italiane për emergjencën COVID-19, Agostino Miozzo, (i pranishëm në Shqipëri pas tërmetit të 26 nëntorit si kreu i Mbrojtjes Civile Italiane), mirëpriti grupin e çiklistëve nga Conegliano Veneto.
Grupi i çiklistëve “Alè Azzurri” udhëtoi më shumë se 1300 km, duke u nisur nga Conegliano Veneto (qyteti i ish-trajnerit të ekipit kombëtar shqiptar, Gianni De Biasi). Grupi mbërriti në Ambasadën Shqiptare dhe falënderoi mjekët përmes videokonferencës për përkushtimin në spitalin e Breshias.
Fillimisht, turneu përfshinte disa ndalesa në Ballkan dhe më pas arritjen në destinacionin përfundimtar Tiranë, ku grupi i çiklistëve do të falënderonte personalisht ekipin mjekësor dhe kryeministrin shqiptar Edi Rama. Por, kufizimet për shkak të COVID-19 e detyruan grupin të bënte ndryshime të këtij udhëtimi. Ardhja në Tiranë u zëvendësua në mënyrë metaforike me atë në Piazza Albania në Romë, ku ndodhet monumenti i heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastriot Skënderbeu.
Në videokonferencë ndodhej edhe kampioni shqiptar i çiklizmit Eugert Zhupa, i cili mori pjesë katër herë në Giro d’Italia. Përveç kësaj, trajneri italian Gianni De Biasi ishte gjithashtu i pranishëm. “Një takim emocionues dhe i përzemërt. Ne jemi miq të shkëlqyeshëm edhe në ditë të vështira. Një tjetër moment simbolik dhe i rëndësishëm që dëshmon për lidhjen midis vendeve dhe njerëzve tanë. Një det solidariteti dhe vëllazërimi na bashkon”, lexohet në postimin e publikuar në Facebook nga Ambasada e Shqipërisë në Itali.