“Ça ke bo? Ça bone?”, këto janë shprehjet që pëlqen më shumë nga gjuha shqipe ambasadorja suedeze në Tiranë, Elsa Hastad.
Në një intervistë për Euronews Albania ajo u shpreh: “Ça ke bo? Ça bone? Më pëlqen shumë, ‘ça bone’. Por më pëlqejnë të gjithë fjalët tuaja, sidomos ato që kanë fjalën mirë, shumë mirë. ‘Mirë’ është një fjalë e bukur, kur më pyesin, gjithnjë i them, mësoni fjalën ‘mirë’”, tregoi ajo.
Ajo i cilësoi shqiptarët si njerëz mikpritës dhe të ngrohtë. Por, ambasadorja është e mahnitur edhe nga bukuria natyrore shqiptare.
“Gjëja e dytë është bukuria e këtij vendi. Më duhet ta them, bukuria e këtij vendi është e mahnitshme. Shqipërinë nuk e kanë parë të gjithë, por unë udhëtoj shumë dhe sërish mbetem e mahnitur. Malet, deti, çdo gjë është fantastike”, tha ajo.