Kryesore Cilat janë 15 marrëveshjet që u nënshkruan mes Shqipërisë dhe Kosovës

Cilat janë 15 marrëveshjet që u nënshkruan mes Shqipërisë dhe Kosovës

Në Elbasan, u zhvillua mbledhja e shtatë mes dy qeverive, Shqipëri-Kosovë. Fokusi ishte finalizimi i marrëveshjeve të nënshkruara që do të menaxhohen nga sekretariati ndërkoordinues.

Në mbledhjen e dy qeverive, Edi Rama dhe Albin Kurti theksuan nevojën për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara ndërmjet dy vendeve. Rama ftoi qeverinë e Kosovës, që krahas marrëveshjeve, të bëjnë edhe unifikimin e abetareve në dy shtetet. Albin Kurti, nga ana e tij, e cilësoi si detyrim bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri.

Mes 15 marrëveshjeve që u firmosën, është dhe ajo për heqjen e lejeqëndrimit të përkohshëm për qytetarët e të dyja vendeve, njohja e sigurimeve shoqërore dhe për lehtësira të ndërsjella në procedurat doganore të hyrje-daljes së mallrave.

15 marrëveshjet që u firmosën sot mes qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës

Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për heqjen e lejeqëndrimit të përkohshëm;

Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për rregullimin e regjimit të trafikut lokal të kufirit;

Marrëveshja ndryshuese e Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec (Kukës) – Krushevë (Dragash);

Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverise se Republikës së Kosovës “Për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile dhe tregtare”;

Për miratim, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Republikës se Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, për sigurimet shoqërore;

Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për zbatimin e lehtësirave të ndërsjella në procedurat doganore dhe/ose të kontrollit të hyrje/daljes së mallrave;

Kalendari i përbashkët Kulturor Vjetor Shqipëri-Kosovë, për vitin 2021-2022;

Marrëveshje Bashkëpunimi: Në fushën e Trashëgimisë Kulturore midis MKRS & MK;

Protokoll Bashkëpunimi Ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për krijimin e Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar.

Marrëveshje për studimin e fizibilitetit për ndërtimin/rehabilitimin e segmentit hekurudhor Durrës-Prishtinë;

Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë dhe Institucionit kompetent të palës kosovare;

Marrëveshje dypalëshe për lehtësimin e procedurës së njohjes se diplomave nga IAL-të (të konfirmimit të të diplomuarve nga Qendrat Kombëtare respektive të Njohjes së Diplomave);

Manual i Përbashkët për procedurat standarde të operimit në Doganën e Durrësit; Manuali Për procedurat standarde të operimit në piken e përbashkët të kalimit kufitar (PPKK) Morinë-Vermicë;

Marrëveshje dypalëshe për qasje të ndërsjellë në modulet e riskut;

Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të RSH-së dhe Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Republikës së Kosovës.