216 banesa janë vjedhur gjatë vitit 2020 në Tiranë ndërsa mbi 100 të tjera kanë rënë pre e hajdutëve në 8 mujorin e parë të këtij viti, sipas statistikave zyrtare të policisë.
Euronews Albania zbulon zonat kryesore të kryeqytetit ku ndodhin 70 % e vjedhjeve të banesave, duke nisur nga Kodra e Diellit përfshirë Liqenin e Thatë, zona e Freskut në njësinë administrative Qesarakë, zona e njohur si Astiri përfshirë rrugën Besim Alla, zona e Don Boskos dhe ajo e Laprakës.
Burime pranë policisë së Tiranës thanë se nga analizat e zhvilluara rezulton se këto zona janë në shënjestër të kontigjentit kriminal për shkak se janë territore me popullsi kryesisht të përzierë ku banorët nuk njihen me njëri-tjetrin por edhe për shkak të mungesës së ndriçimit dhe kamerave të sigurisë.
Në shënjestër të hajdutëve janë edhe banesat me qira. Ata shfrytëzojnë edhe pakujdesinë e qytetarëve që nuk mbyllin dyert mirë, por vetëm i tërheqin.
Mesatarisht Policia e Tiranës ka zbuluar 50 % të vjedhjeve ndërsa të përfshirë kryesisht janë kontigjent kriminal përsëritës, në jo pak raste edhe të mitur.
Në total në kryeqytet për vitin 2021 janë denoncuar rreth 1500 vjedhje në total, përshirë banesa, biznese dhe automjete.
Burimi: Euronews Albania