Extra Cilat janë dallimet kryesore midis trurit të mashkullit dhe femrës

Cilat janë dallimet kryesore midis trurit të mashkullit dhe femrës

Nga Thomas R.Verny*

Ne jetojmë në një qytet të vogël të Ontarios në Kanada, ku çdo të shtunë ka një treg fermerësh. Mua më pëlqen të shkoj herët në mëngjes për të blerë lule. Zakonisht një natë më parë e pyes bashkëshorten nëse ka ndonjë gjë të veçantë që ajo dëshiron që të blej.

Ajo mund të thotë “vezë” ose “shih se mos kanë sjellë boronica të egra”.

Sapo hyj në tregun e përjavshëm, shkoj direkt në stendën e luleve të preferuara dhe i blej ato. Më pas shkoj në stendën e vezëve dhe kërkoj “një duzinë kokrrash ngjyrë kafe dhe të mëdha”. Paguaj dhe shoh se mos kanë sjellë manaferra të egra, por nuk gjej asgjë.

Më pas kthehem tek makina. I gjithë udhëtimi, në një ditë të bukur pa shumë trafik, më merr rreth 25-30 minuta. Kur në treg shkon ime shoqe, ajo mund të kalojë atje minimumi 2, 3 apo më shumë orë. Në fillim e pyesja (tani që e kam kuptuar arsyen; nuk e pyes më): “Pse u vonove kaq shumë?”. Më përgjigjej: “Epo bisedoj me fermerët, i pyes nga vijnë dhe çfarë tjetër kultivojnë. Kërkoj perime të veçanta si lule kungulli të njoma. Më pas mund të kërkoj në internet receta dhe të zgjeroj shumëllojshmërinë e ushqimeve që gatuaj. Më pëlqen të qëndroj gjatë para stendave, kënaqem me ndjesinë që më krijojnë ngjyrat dhe aromat. Ndonjëherë takoj disa të njohur dhe bisedojmë, ose mund të ulemi dhe të pimë një kafe.”

Dy përvoja shumë të ndryshme, por shumë stereotipike në lidhje me dallimet mes mënyrës se si mendojnë dhe veprojnë burrat dhe gratë. Këto dallime vijnë për shkak të shumë faktorëve, kryesisht gjenetikë, biologjikë, edukativë, socialë dhe kulturorë.

Aktualisht, në ‘arkitekturën’ e trurit të grave dhe burrave janë identifikuar rreth 100 dallime gjinore. Për shkak të mungesës së hapësirës, në këtë shkrim do të përqendrohem në 5 nga dallimet më kryesore. Duke nisur nga 3-mujori i parë, tek meshkujt zhvillimi i trurit i drejtuar nga neurohormonet është më i ngadaltë në krahasim me femrat.

Kjo përbën periudhën më të gjatë të zhvillimit të reagimit social dhe rregullimit të ndjenjave tek djemtë. Pra truri i foshnjave djem ngec në zhvillim në krahasim me të vajzave. Kjo reflektohet në marrëdhëniet e hershme të djemve me nënat apo kujdestarët e tyre.

Në moshën 1-vjeçare, vajzat shfaqin një preferencë më të madhe për ndërveprimet me nënat dhe kujdestarët, krijojnë më shumë kontakte me sy, dhe tregojnë më shumë ndjeshmëri emocionale dhe interes për njerëzit sesa djemtë e së njëjtës moshë.

Duke ekzaminuar të porsalindurit dhe foshnjat deri në 2-muajshe në Boston, Edward Tronick dhe T.Berry Brazelton, arritën në përfundimin se “djemtë janë partnerë socialë më kërkues, ata e kanë më të vështirë të rregullojnë gjendjet e tyre afektive (emocionet), dhe mund të kenë më shumë nevojë për mbështetjen e nënës së tyre për t’i ndihmuar ata të rregullojnë ndjenjat”. Dhe kjo kërkesë e shtuar ndikonte në partnerin ndërveprues të djalit të mitur. Lidhja do të zgjasë pak më shumë dhe do të jetë pak më e vështirë për djemtë sesa për vajzat. Nëse fëmija i parë i një nëne do të ishte vajzë, ajo do të pyeste veten pse fëmija i saj i dytë, këtë herë djalë, ishte shumë më “i vështirë”.

Ky emërtim, qoftë i komunikuar me fjalë apo veprime, mund të lërë një gjurmë të përhershme në mendjen e pavetëdijshme të djalit, me jo pak probleme emocionale që do të pasonin më vonë. Pra ju mund ta shihni se si ndryshimet e trurit, që në moshë të hershme, i bëjnë vajzat të bëhen më sociale dhe më vëzhguese sesa djemtë.

Të rriturit, veçanërisht nënat, gjyshet, tezet, etj., do të përgjigjen në të njëjtën mënyrë, duke e përforcuar sjelljen pro-sociale të vajzave, ndërsa baballarët dhe të afërmit e tjerë meshkuj do të bëhen më të egër dhe më fizikë me fëmijët e tyre meshkuj, duke nxitur tek ata mendimin dhe ndjenjën e veprimit.

Studimi i trurit të të rriturve, na ndihmon për të shpjeguar disa ndryshime të dukshme në mënyrën se si gratë dhe burrat i qasen botës. Hulumtimet e fundit nga Universiteti i Pensilvanisë në SHBA, zbuloi se gratë kanë zakonisht  një ‘corpus callosum’ më të madh se burrat.

Corpus callosum, formon një urë komunikimi midis hemisferës së majtë dhe të djathtë të trurit. Si rezultat, truri femëror shfaq lidhje të gjera midis hemisferës së majtë dhe të djathtë. Lidhja më e madhe ndër-hemisferike tek femrat e lehtëson integrimin e mënyrave të arsyetimit analitik dhe sekuencial të hemisferës së majtë me përpunimin hapësinor dhe intuitiv të informacionit të hemisferës së djathtë.

Kjo lloj strukture mund të lehtësojë komunikimin social dhe intuitën. Ndërkohë, truri i mashkullit me një ‘corpus callosum’ më të vogël nxit një lidhje më të madhe nervore përgjatë dimensionit posterior-anterior, i cili përfshin lidhjen e perceptimit me veprimin.

Dihet prej kohësh se femrat kanë mesatarisht një kujtesë verbale dhe njohje sociale më të mirë, ndërsa meshkujt kanë aftësi më të mira motorike dhe hapësinore. Këtë e shpjegojnë skanimet e trurit: femrat priren të kenë qendra verbale në të dyja anët e trurit, ndërsa meshkujt shpesh kanë qendra verbale vetëm në hemisferën e majtë.

Kjo është ndoshta edhe arsyeja pse gratë përdorin më shumë fjalë kur përshkruajnë përvoja ose ndjenja, dhe kanë më shumë interes të flasin për këto gjëra. Duke analizuar të dhënat nga 168 studime me 355.173 pjesëmarrës, Marco Hirnstein nga Universiteti i Bergenit, gjeti një avantazh të vogël por të dukshëm të grave në rrjedhshmërinë verbale dhe kujtesën verbale-episodike.

Avantazhi është i vogël por i qëndrueshëm gjatë 50 viteve të fundit, kjo edhe në raport me jetëgjatësinë e një individi. Për më tepër, ata zbuluan se avantazhi i grave në krahasim me burrat varet nga gjinia e shkencëtares kryesore të studimit në fjalë: shkencëtaret femra raportojnë një avantazh më të madh të gjinisë së tyre, ndërsa studiuesit meshkuj raportojnë një avantazh më të vogël ndaj femrave.

Teksa i shqyrtojmë këto studime, duhet të kemi parasysh se ato janë përgjithësime statistikore dhe nuk vlejnë për çdo burrë apo grua. Sepse çdo njeri është deri diku në një vazhdimësi midis trurit tipik mashkullor dhe femëror.

Dhe pavarësisht nga gjinia, përvojat unike dhe mjedisi i çdo personi luajnë një rol shumë të rëndësishëm në formësimin e aftësive dhe sjelljeve të tyre. Është e rëndësishme të mos harroni se të gjitha dallimet kanë avantazhe dhe disavantazhe. Unë mendoj se Ruben Gur nga Universiteti i Pensilvanisë, e ka përmbledhur më së miri: “Është shumë e habitshme se sa komplementarë janë truri i grave dhe ai i burrave”.

Burimi: Psychology Today.

* Thomas R.Verny është autor i tetë librave dhe lektor në Universitetet e Harvardit, Torontos dhe Jorkut.