Përveç pushimeve relaksuese buzë detit, ka disa udhëtime që me siguri nuk janë të arritshme për të gjithë, si nga pikëpamja ekonomike, ashtu edhe për shkak të rrezikshmërisë.
Ato janë aventura befasuese, vetëm për më të guximshmit, si dhe për ata që mund të shpenzojnë shumë.
Nga ekskursionet përgjatë “rrugëve të vdekjes” e deri te misionet hapësinore, këtu janë udhëtimet e pabesueshme dhe më të shtrenjta në botë:
Udhëtimet më të shtrenjta
Një nga udhëtimet më famëkeqe është ai në bordin e zhytësit Titan, që së fundmi u fut në thellësitë e Oqeanit Atlantik për të çuar pasagjerët atje ku u fundos Titaniku.
Bileta kushtoi 250 mijë dollarë, por ka të ngjarë që, të paktën në vitet në vijim, kjo lloj zhytjeje të ndalet, për shkak të tragjedisë që ka ndodhur.
Ka shumë ekskursione të tjera emocionuese, që kanë çmime të larta, të tilla si një udhëtim në yje për shembull.
Elon Musk, një nga pionierët në këtë fushë, udhëhoqi disa shikues në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS) vitin e kaluar, një aventurë 10-ditore, që i kushtoi çdo udhëtari hapësinor 55 milionë dollarë.
Në të ardhmen mund të bëhet pak më i aksesueshëm, siç njoftoi themeluesi i SpaceX: një fluturim në Mars duhet të kushtojë midis 100.000 dhe 500.000 dollarë – dhe kthimi është falas, zbuloi Musk me shaka.
Mali Everest
Këto përvoja me adrenalinë të lartë, na çojnë shpesh në anën tjetër të botës, si në majën e Everestit, mali më i lartë në planet: arritja e majës në 8849 metra kërkon aftësi të jashtëzakonshme ngjitjeje dhe pajisje të përshtatshme, por edhe udhërrëfyes ekspertë, që mund të drejtojnë dhe reduktojnë rrezikun.
Mali Hua Shan, Kinë
Padyshim më pak i njohur se Everesti, mali Hua Shan ofron gjithashtu një aventurë shumë të rrezikshme.
Është një nga pesë malet e shenjta të Kinës, dhe majat shkëmbore janë shtëpia e disa tempujve mbresëlënës fetarë.
Konsiderohet si një destinacion pelegrinazhi, por synohet vetëm nga më të guximshmit: në veçanti maja më e lartë, ajo jugore, është e arritshme vetëm në këmbë, përmes një ngjitjeje emocionuese, që përfshin zinxhirë të vjetër dhe dërrasa druri të rrënuara nga koha.
Arritja e majës është një përvojë ekstreme, e cila megjithatë ofron një pamje që të lë pa frymë.
Porta e Ferrit, Turkmenistan
Një tjetër udhëtim i rrezikshëm, është ai që të çon në Portën e Ferrit, në Turkmenistan.
Kohë më parë, gjatë shpimit për naftë, punëtorët shkaktuan pa dashje shembjen e tavanit të një shpelle të mbushur me gaz metan.
Në përpjekje për të parandaluar, që këto gazra helmuese të arrinin te banorët e fshatrave aty pranë, gjeologët qëllimisht i vunë zjarrin kalderës, që u krijua: qëllimi ishte të siguroheshin, që flakët të konsumonin elementët e paqëndrueshëm brenda një kohe të shkurtër.
Kanë kaluar më shumë se 50 vjet dhe krateri ende digjet. Dhe po, është kthyer në një atraksion të njohur turistik, ndonëse shumë i rrezikshëm.
Rruga e Vdekjes, Bolivi
Në Bolivi ndodhet ndoshta rruga më e rrezikshme në botë. Është rruga e Yungas dhe jo rastësisht quhet Rruga e Vdekjes: 56 km e gjatë, ka një diferencë totale në lartësi mbi 3 mijë metra, dhe ngjitet përgjatë kreshtës së një mali, ku kalimi është vërtet i ngushtë.
Nuk ka parmakë apo mbrojtje të tjera, kështu që duhet të jeni shumë, shumë të kujdesshëm gjatë drejtimit.
Pavarësisht kësaj, rreziku i një aksidenti fatal është mjaft i lartë, si për shkak të rënieve, ashtu edhe për shkak të rrëshqitjes së dheut dhe baltës.
Në këtë rrugë ka rreth 200 vdekje në vit, por për shkak të pamjeve mahnitëse, frekuentohet shpesh nga turistët.
Liqeni Natron, Tanzani
Afrika është kontinenti i duhur, për ata që duan aventura, që shtojnë adrenalinën. Ekziston një, megjithatë, që nuk rekomandohet, për shkak të rrezikut: liqeni Natron, në Tanzaninë veriore.
Nga larg, liqeni ofron një panoramë të paçmuar me ujërat e kuqërremta dhe vijat e bardha, ku flamingot jetojnë të patrazuar.
Por ndërsa afroheni, mund të shihni shumë kufoma kafshësh. Ujërat e liqenit, të kuq për shkak të pranisë së cianobaktereve të shumta, kanë një përmbajtje të lartë të karbonatit të natriumit të hidratuar (i njohur si natron), që i bën ato kaustike dhe vdekjeprurëse për shumë kafshë, përfshirë njerëzit.
Çernobil, Ukrainë
Më në fund, kthehemi në kontinentin e vjetër, për atë që konsiderohet ende një turne shumë i rrezikshëm.
Bëhet fjalë për vizitën në Çernobil, centralin bërthamor ukrainas të vendosur në Pripyat, i cili ishte viktimë e një prej fatkeqësive më të rënda të të gjitha kohërave.
Aksidenti ndodhi në vitin 1986, megjithatë kjo zonë shfaq nivele shumë të larta rrezatimi, duke e bërë atë më të kontaminuarin në botë.
Ka itinerare reale, që çojnë në zbulimin e një qyteti fantazmë, i braktisur shumë vite më parë, pas shpërthimit të reaktorit aty pranë.
Sigurisht, situata aktuale gjeopolitike, e bën këtë udhëtim edhe më ekstrem, duke pasur parasysh luftën e vazhdueshme në Ukrainë. / Si Viaggia