Drafti i buxhetit ndan edhe “fatin” e ministrive për vitin e ardhshëm, pasi përcaktohet se sa para do të kenë në dispozicion për të shpenzuar, ku përfshihen të gjitha detyrimet, siç janë pagat, investimet, etj. Por si është ndarë “torta” e fondeve për vitin 2024 dhe cilat nga ministritë kanë marrë më shumë dhe më pak para?
Nga analiza e bërë nga SCAN, rezulton se në total Ministria e Shëndetësisë zë peshën më të madhe në buxhet, pasi ka një fond total prej rreth 78 miliardë lekësh. Ndjekur nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë e cila mbulon shpenzime të rëndësishme sociale, më pas renditet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë me 52.7 miliardë lekë, e cila mban peshën e investimeve, ndjekur nga Ministria e Arsimit me 52.2 miliardë lekë dhe e Mbrojtjes me 48.3 miliardë lekë.
Por nëse do të bëjmë krahasimin me buxhetin fillestar të vitit 2023, vihet re se është bërë shkurtime fondesh për disa nga ministritë më të rëndësishme. Kështu, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka humbur 8.7 miliardë lekë në krahasim me këtë vit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka një shkurtim fondesh në masën 0.19 miliardë lekë; Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë i janë shkurtuar fondet buxhetore me 2 miliardë lekë dhe bujqësia do të ketë në dispozicion 0.06 miliardë lekë më pak se buxheti fillestar i 2023.
Nga ana tjetër, vihet re shtesë e konsiderueshme buxheti për Ministrinë e Mbrojtjes me 8 miliardë lekë dhe për Ministrinë e Arsimit jepen 5 miliardë lekë më shumë, fond me të cilin parashikohet të mbulohet dhe rritja e pagave. Po ashtu, për Ministrinë e Brendshme buxheti i 2024-ës do të rritet me afro 1.79 miliardë lekë, për Ministrinë e Drejtësisë 2.3 miliardë lekë, për Ministrinë e Turizmit, 1.2 miliardë lekë, ndërsa një shtesë të vogël buxhetore është parashikuar edhe për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe atë të Kulturës.
Elisabeta Dosku/ SCAN