Kryesore Cilat vende të Europës Lindore po përballen më një rritje të numrit...

Cilat vende të Europës Lindore po përballen më një rritje të numrit të rasteve me COVID-19

Vendet e Europës Lindore po përballen më një valë të re infeksionesh nga koronavirus, duke sjellë revolta në Serbi, mbajtjen e detyrueshme të maskës në Kroaci si dhe kufizime për udhëtarët në Hungari.

Kufizimet e reja vijnë pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë raportoi se rritja ditore e rasteve globale arriti në mbi 228 mijë gjatë javës së shkuar, teksa SHBA konfirmoi 66 mijë raste të premten, një tjetër shifër rekord, sipas Universitetit John Hopkins.

Hungaria

Autoritetet hungareze njoftuan të dielën se i kanë ndarë shtetet në tri kategori – të kuqe, të verdhë dhe të gjelbër – në bazë të numrit të infektuarve dhe ka rivendosur kufizime të reja në varësi të shtetit prej nga vijnë udhëtarët.

Personat që vijnë nga Shqipëria, Ukraina dhe Bjellorusia si dhe pothuajse të gjitha vendet aziatike, afrikane dhe të Amerikës Qendrore nuk do t’iu lejohet hyrja, ndërsa shtetasit hungarezë që mbërrijnë në vend prej këtyre destinacioneve do të duhet të qëndrojnë në karantinë për dy javë.

Serbia

Serbia raportoi 287 raste të reja gjatë së dielës, megjithëse ka dyshime të forta mbi vërtetësinë e këtyre shifrave. Zyrtarisht, vendi ka mbi 18 mijë raste të konfirmuara dhe 382 viktima që nga marsi. Autoritetet shëndetësore kanë paralajmëruar se spitalet janë në limitet e kapacitetit të tyre, për shkak të valës së re.

Policia serbe është përplasur me protestuesit në natën e pestë të protestave, të cilat e detyruan presidentin serb Vucic të tërhiqej nga plani për të rivendosur një mbyllje të dytë për të parandaluar rritjen e mëtejshme të numrit të rasteve. Shkak për infektimet e reja janë bërë ndeshjet e mbipopulluara të futbollit, klubet e natës dhe disa ceremoni tenisi.

Rumania

Rumania shënoi një rekord të ri me 698 raste të reja gjatë së shtunës, ndërsa të dielën u raportuan 456 raste.

Bullgaria

Në Bullgari, autoritetet kanë rivendosur masat kufizuese, të cilat u hoqën vetëm disa javë më parë, për shkak të rritjes së lartë të rasteve të reja. Qeveria urdhëroi mbylljen e klubeve të natës ndërsa ambientet e jashtme janë lejuar të punojnë me një kapacitet të përgjysmuar. Dasmat dhe ceremonitë tradicionale janë të kufizuara deri në 30 pjesëmarrës, ndërsa eventet sportive duhet të zhvillohen pa praninë e spektatorëve.

Pas konfirmimit të 330 rasteve të reja gjatë së premtes, Bullgaria raportoi 208 raste të reja të shtunën dhe të dielën. Deri më tani, vendi regjistron 3.597 raste dhe 267 viktima.

Shqipëria

Edhe Shqipëria ka shënuar një rritje domethënëse personash të infektuar që nga mesi i majit, kohë kur nisi të lehtësojë masat kufizuese. Vendi raportoi për 93 raste të reja, pothuajse dyfishin e shifrave të raportuara për muajin mars dhe prill, ndërsa ministria e shëndetësisë e ka cilësuar gjendjen në spitalin kryesor të vendit si “mjaft serioze”.

“Mos e ulni vigjilencën dhe respektoni rregullat e higjienës”, ka qenë thirrja e autoriteteve shqiptare.

Kroacia

Kroacia, një prej destinacioneve kryesore të detit Adriatik, e ka bërë mbajtjen e maskës në dyqane dhe ambiente të mbyllura të detyrueshme.

Polonia

Pandemia ka ndikuar dhe në zgjedhjet që po mbahen në Europë gjatë së dielës. Në Poloni, ku po zhvillohen zgjedhjet presidenciale midis kandidatit konservator në pushtet Andrzej Duda dhe nga ana tjetër liberalit Rafal Trzaskowski, votuesit duhet të jenë të pajisur me maska mbrojtëse si dhe me doreza. Ata duhet gjithashtu të ruajnë distancën fizike dhe të përdorin dezinfektues për duart.