Kryesore Cilën PD do regjistrojë? Celibashi: Nuk mund të bëjmë sikur nuk ndodh...

Cilën PD do regjistrojë? Celibashi: Nuk mund të bëjmë sikur nuk ndodh asgjë nëse PD nuk regjistrohet në zgjedhje

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, thotë se nuk mund të anashkalohet fakti nëse PD regjistrohet në zgjedhjet vendore 2023 sipas parashikimeve ligjore.

Këto deklarata kreu i KQZ-së i bëri duke komentuar dy kërkesat që janë depozituar në KQZ nga dy palët brenda Partisë Demokratike.

“Nëse do ta bënim formale dhe unë do isha formal, përgjigja do ishte do e merrni vesh kur të vendoset. Po s’dua të bëj hipokritin dhe të them që se njohim realitetin. Qoftë edhe si individ edhe unë, këtu jetoj i ndjek lajmet kam gjykimet dhe opinionet e mia. Edhe pse kjo s’do të thotë që kur të vijë puna e vendimmarrjes kjo do jetë pjesë e gjykimit tim.

Kemi 2 propozime për anëtarë të KZAZ nga z. Indrit Sefa i cili është përfaqësues i PD në KQZ që prej Marsit të vitit të kaluar. Kemi dhe një propozim për anëtar të KZAZ të sjellë nga z. Flamur Noka në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të PD. Formalisht kemi 2 kërkesa dhe komisioneri do të duhet të bëjë vlerësimin e legjitimitetit të secilës prej këtyre dy kërkesave. Jemi në proces të verifikimit të dokumentacionit mbi propozimin për anëtar të KZAZ jo vetëm të PD por edhe të 3 partive të tjera”.

Celibashi theksoi se KQZ do të vendosë në përputhje me ligjin për këtë çështje, megjithatë ai ka kërkuar që kjo situatë brenda PD-së të marrë zgjidhje për shkak të interesit publik që ka kjo forcë politike si partia kryesore e opozitës.

“Ne do të vendosim për këtë, nuk do ishte shumë e udhës që kështu do vendos, por është ky realitet dhe mua më vjen keq që gjendem në këtë situatë, nuk kemi asnjë lloj interesi politik dhe asnjë lloj simpatie politike. Nuk përfaqësojmë dhe nuk do përfaqësojmë në këtë vendimmarrje, kjo vendimmarrje do jetë në respekt të plotë të ligjit. Do ishte naivitet nëse dikush do mendonte që kjo vendimmarrje bazohet nga urdhërimet e dikujt tjetër qoftë ky i brendshëm apo jashtëm, dhe po kaq keq nëse kjo vendimmarrje do ishte rrjedhojë e interesit politik apo simpatisë politike të komisionerit shtetëror. Nuk kemi asnjë lloj droje për të vendosur në përputhje të plotë me ligjin. Nuk është çështja ime se si është ligji, nuk është çështja ime se si është situata politike”.

Celibashi thekson se nuk mund të pretendohet sikur nuk ndodh asgjë nëse PD nuk regjistrohet në zgjedhje.

“Kërkesa si për rastin e komisionit dhe regjistrimin e subjekteve zgjedhore është kërkesë që do vlerësohet në përputhje me ligjin. Ne nuk vendosim se kush udhëheq PD dhe tej çdo spekulimi kjo është e qartë për gjithkënd. Për ne ka një PD, është në person juridik që ka emrin PD e Shqipërisë. Ngelet për t’u parë se kush e ka tagrin për të vepruar dhe për llogari të PD. E dimë që dikush thotë që kjo e drejtë i takon z. Berisha, dikush tjetër thotë jo i takon z. Alibeaj pasi ai e ka të deleguar nga z. Basha, do ishte mirë që kjo çështje të ishte zgjidhur dhe mendoj që do duhet të zgjidhet sepse flasim për një interes publik të dorës së parë, flitet për partinë kryesore të opozitës dhe mendoj sa nuk është vonë gjithkush mund të kontribuojë në zgjidhjen e kësaj situate, sa nuk është vonë të japi kontributin e vetë që kjo çështje të zgjidhet si do duhet të zgjidhet. Nuk është KQZ që vendos për disa çështje që nuk i ka kompetencë. Nuk mundet që ne të bëjmë sikur s’do ndodhi asgjë nëse partia kryesore e opozitës mund edhe të mos regjistrohet ose mund edhe të regjistrohet jo sipas parashikimeve që dikush që mund të impaktojë jetën politike të vendit nuk ka marrë atë vendim”.