Bedri Islami
Opozita e bashkuar, si i thonë, në të mirë e në të keq, ka kërkuar sot (dje) ndryshime të veçanta kushtetuese, përmes një seance të jashtëzakonshme me një qëllim të vetëm: heqjen e Arta Markut nga detyra e saj si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme.
Reagimi në mbështetje të Arta Markut nga institucione të rëndësishme ndërkombëtare, sidomos nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, lëvizjet që po bën ajo me dorë të sigurt për të ndryshuar gjendjen kaotike në institucionin e prokurorisë së shtetit, paralajmërimet e saj për daljen nga situata dhe ndodhi të rëndësishme që mund të jenë të pranishme në goditjen e botës së krimit, ka ngjallur një panik të jashtëzakonshëm tek opozita. Frika e tyre ka tashmë vetëm një emër: Arta Marku.
Prej ditësh opozita e ka shpallur luftën e saj. Pasi dështuan ta trembin me tymuese zjarri, me britma dhe çizme, me protesta dhe kërcënime, me tentim për realizimin e një grushti të vogël shteti, me anatemimin e figurës së saj, pasi më parë kishin thënë se “nuk e kishin me të”, tani, opozita , ka vendosur të ndërmarrë hapat legjislativë për të nxjerrë institucionin e Kryeprokurorit të Përkohshëm jashtë ligjit.
Normalisht ata duhej të ndjeheshin të qetë në lëvizjet e tyre, pasi, si kanë thënë qindra herë, e gjithë bota e krimit është tek qeveria e tashme dhe, nëse e ndjejnë veten të pafajshëm, nuk do të kishin asnjë arsye përse të bëheshin merak për të sjellë në parlament një ligj propozues për ndryshimin e Kushtetutës.
Cili është ky propozim, i cili, edhe nëse nuk kalon, përmban brenda vetes monstruozitete ligjore dhe kërkon të vendosë nën këmbët e parlamentit, duke e bllokuar atë, krejt sistemin e drejtësisë dhe reformën e nisur.
Në fakt, ligji i propozuar bëhet duke u nisur vetëm nga një person: Arta Markun. Është një ligj sui generis vetëm për atë. Dhe prej saj për të shkuar drejt një qëllimi tjetër, edhe më të madh se rrëzimi i zonjës Marku, rrëzimin e sistemit.
Propozimi i PD-së është që, përmes një drafti të veçantë, Kuvendi të ndryshojë Kushtetutën e vendit, me qëllim që, deri sa të ngrihet Këshilli i Lartë i Prokurorisë, të jetë Kuvendi ai që do të bëjë Veting-un për Arta Markun. Me nismën e PD-së është bashkuar edhe Lëvizja Socialiste për Integrim.
Tashmë, si asnjëherë më parë dhe besoj se edhe në të ardhmen, hartimi i një ligji kundër një personi, në këtë rast kryeprokurorja e Republikës, është ngritur në nivel kushtetues. Për hatër të goditjes së saj kërkohet ndryshimi i Kushtetutës, vënia e një institucioni nën hyqmin e opozitës, përmes bllokimit të votimit, dhe bllokimi i Vetting-ut, si shpresa kryesore e kahershme e opozitës. Ndoshta edhe përpjekja e fundit e saj, megjithëse askush nuk e di se sa do të jenë në të ardhmen përpjekjet e një kahu politik, të çartur politikisht dhe të trembur ligjërisht..
Në këtë mënyrë, përmes draftit të propozuar, Kuvendi kërkon të marrë në dorë kompetencat e Këshillit të Lartë të Prokurorisë në zgjedhjen e prokurorëve dhe përmes këtij ligji, që propozohet, të fillojnë edhe kulisat politike për të vënë edhe një herë, përfundimisht, sistemin e drejtësisë nën kontrollin e partive politike dhe të spostojnë organet e strukturat e ngritura për këtë qëllim.
Ky është, në fakt, thelbi i kësaj nisme, maskuar me nevojën për Vetting ndaj Arta Markut.
Çfarë po bën kjo grua, ndaj së cilës është hedhur verbëria e politikës opozitare dhe përse janë rritur mllefet kundër saj? A është vetëm ajo frika e opozitës për hapjen e traseve të vjetra të krimit të organizuar?
Ka lidhje kjo vetëm me kryeprokuroren apo edhe me mundësinë e dërgimit të ekipeve të specializuara të FBI-së, të cilat vërtet mund të vijnë duke u nisur nga rasti “Tahiri”, por nuk do e bëjnë gjithë atë “rrugë” për një rast të vetëm, qoftë ky edhe i ish ministrit të punëve të brendshme. Cili do të jetë njeriu i radhës që mund të jetë vënë prej kohësh në llogaritë e strukturave euro-atlantike, që, jo shumë larg mund të jetë në një vend tjetër, jo në parlament apo në sallat e politikës? Dilemat sa vijnë e nuk janë më të tilla. Vendosja e Arta Markut në detyrën e saj, çka prej shumë kujt nuk është pritur, duket se po i shpejton gjërat dhe ajo bëri paralajmërimin e saj të parë.
Paralajmërime të tilla, tashmë, si duket, të studiuara dhe të kopsitura, janë bërë edhe nga institucione të tjera të specializuara. Përmes njerëzve që kanë deleguar në Prokurorinë e Përgjithshme, opozita, si duket, ka marrë të dhëna që lidhen pikërisht me ngjarjet që mund të vijnë dhe që do të rëndojnë jo vetëm mbi disa njerëz të veçantë.
Nisma e propozuar, sa do e maskuar nën emrin e një Zonje, synon të fusë në një rrugë qorre Reformën në Drejtësi, të shmangë objektivin e saj madhor. Kërkesa që caktimi i një prokurori të ri të përkohshëm, tani sipas draftit të ri, me tre të pestat e votave në parlament , nuk është gjë tjetër, veçse shtyrja deri në kufijtë e maksimumit të Reformës në Drejtësi, të cilën besojnë se do e hedhin në “fik”, përmes demonstratave të janarit.
Kuvendi i Shqipërisë nuk mund të bëjë dhe nuk ka tagër të bëjë vetting-un e prokurorëve dhe të gjyqtarëve. Në Draftin kushtetues për Reformën në Drejtësi janë përcaktuar qartë institucionet që e bëjnë dhe strukturat që duhet të ngrihen. Kushtetuta e ka tani të sanksionuar se Vetting-u për prokurorët dhe gjyqtarët bëhet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor. Asnjë strukturë politike e legjislative nuk mund të vihet mbi to, pasi ata janë tani njësi kushtetuese.
E ashtuquajtura Nismë për ndryshimin e Kushtetutës është vijim i përpjekjeve të kahershme kundër reformës në Drejtësi dhe strukturave që janë ngritur e filluar nga puna për zbatimin e saj.
Një formulim i ri që mbart qëllimin e vjetër: bllokimin e Vetting-ut, kësaj here në “ emër” të Vetting-ut.