Në fillim të konfliktit Rusi-Ukrainë, presidenti turk Erdogan ka deklaruar se Turqia do të luaj një rol kyç në ruajtjen e paqes në rajon.
Disa orë pasi Rusia nisi sulmin kundër Ukrainës këtë të enjte, Kievi i bëri thirrje Turqisë që të mbyllë ngushticat e Bosforit dhe Dardaneleve.
Kjo thirrje për ndihmë vjen në një kohë kur Ukraina i frikësohet sulmit të anijeve ushtarake ruse nëpërmjet Detit të Zi.
Sipas Konventës së Ngushticës së Montreux të vitit 1936, Turqia ka kontroll mbi pasazhin e anijeve nga Deti Mesdhe në Detin e Zi, duke e bërë atë një lojtar thelbësor në konfliktin Rusi-Ukrainë.
Çfarë parashikon Konventa?
Në vitin 1936, superfuqitë e atëhershëm që përfshinin Mbretërinë e Bashkuar, Bashkimin Sovjetik dhe Francën, ranë dakord në Montreux të Zvicrës, që Turqia do të kontrollonte Bosforin dhe Dardanelet, si pasojë e afërsisë së saj me Rusinë, Ukrainën, Rumaninë, Bullgarinë dhe Gjeorgjinë në Detin e Zi.
Përveç kontrollit të këtyre ngushticave, Konventa i dha Turqisë fuqinë që të vendosë mbi trafikun e anijeve ushtarake, përfshi këtu edhe mbylljen totale të këtyre ngushticave në rast lufte apo konflikti.
Turqia mundet gjithashtu t’i mohojë kalimin anijeve tregtare të cilat vijnë nga shtete që janë në luftë me Turqinë.
Të gjitha shtetet e lagura nga Deti i Zi, përfshi Rusinë, Ukrainën, Bullgarinë, Rumaninë dhe Gjeorgjinë, të cilat duan të dërgojnë një anije mes për mes këtyre ngushticave, duhet t’i bëjnë Rusisë një kërkesë 8 ditë përpara.
Sidoqoftë, shtetet që lagen nga Deti i Zi mund të dërgojnë nëndetëse pa bërë asnjë njoftim paraprak, për sa kohë ato janë ndërtuar, blerë ose riparuar përtej Detit të Zi.
Gjithashtu, qeveria turke duhet të japë autorizimin për të gjithë avionët që duan të kalojnë mbi zonën ajrore të këtyre ngushticave.
Gjatë Luftë së Dytë Botërore, kjo Konventë arriti të ndalonte kalimin e flotës detare të Frontit Nazist në Detin e Zi, duke parandaluar kështu sulmin e tyre kundër Bashkimit Sovjetik.
Cili ka qenë qëndrimi i deritanishëm i Turqisë?
Ndërkohë që tensionet po përshkallëzoheshin mes Ukrainës dhe Rusisë, Turqia ka bërë deklaratën se Konventa e Montreux do të jetë një instrument i fuqishëm në ruajtjen e paqes në rajon.
Duke folur për pushtimin ushtarak rus të Ukrainës, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se kjo është një goditje e rëndë për paqen, prosperitetin dhe stabilitetin e rajonit.
Erdogan drejtoi në Pallatin Presidencial në Ankara mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Turqisë, në të cilën temë kryesore ishte operacioni ushtarak rus në Ukrainë, i cili filloi mëngjesin e sotëm me vendim të presidentit rus Vladimir Putin.
Erdogan tha se kishte zhvilluar bisedime me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, në të cilat ata prekën situatën e fundit pas sulmit rus ndaj Ukrainës.
“Turqia mbështet luftën e Ukrainës për të mbrojtur integritetin e saj territorial dhe i thashë Zelenskyt, me të cilin sapo fola”, tha Erdogan.
Ai bëri thirrje edhe një herë për zgjidhjen e problemeve ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës përmes dialogut në kuadër të marrëveshjes së Minskut: “Ky hap (sulmi), që ne e konsiderojmë shkelje të së drejtës ndërkombëtare, është një goditje e rëndë për paqen, prosperitetin dhe stabilitetin në rajon, të cilin Rusia e ka nisur në Ukrainë, ne e refuzojmë dhe e konsiderojmë të papranueshme”.
Ai theksoi se vendi i tij do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të garantuar sigurinë e të gjithë njerëzve që jetojnë në Ukrainë, veçanërisht qytetarëve të saj dhe, siç tha ai, vëllezërve tatarë.
Ndërkohë që Turqia është e varur nga gazi dhe turistët rusë, si dhe ka ndërtuar një marrëdhënie mjaft të afërt me Moskën gjatë viteve të fundit, në të njëjtën kohë ajo i ka shitur dronë Ukrainës dhe i ka bërë thirrje të vazhdueshme Rusisë që të mos e pushtojë Ukrainën.