Aktualitet Cili është skenari i zi i parashikuar për pandeminë në Shqipëri

Cili është skenari i zi i parashikuar për pandeminë në Shqipëri

Skenari më i zi i parashikuar për pandeminë në Shqipëri parashikon hapjen e spitaleve rajonale.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tregoi mbrëmë gjatë emisionit “Opinion” se në momentin që do të ezaurohen të gjithë shtretërit për spitalet e dedikuara për koronavirusin, ekspertët kanë parashikuar 3 skenarë të tjerë ku në lojë futen spitalet rajonale.

Në total numri i shtretërve pritet të arrijë deri në 1600.

“Kemi një strategji të përgjigjes së vjeshtë-dimrit të hartuar nga Komiteti i Ekspertëve dhe të konsultuar me OBSH-në. Skenari i tretë ku futet përfshirja që nga skenari i parë i spitaleve rajonale, përmbyllet kapaciteti 550 shtretërve në 4 spitalet Covid. Në momentin që përmbyllen 4 strukturat e dedikuara për Covid, atëherë kemi 3 skenarë të tjerë ku futen edhe spitalet rajonale sipas 3 fazave, 5 në skenarin e parë dhe 6 në dy skenarët e tjerë ku totali i shtretërve pra në të gjithë skenarët shkon në 1600 shtretër për njerëz që do të kenë nevojë për kujdes shëndetësor spitalor”, tha ministrja.

Manastirliu u shpreh se aktualisht në dy spitalet Covid janë 25% e kapaciteteve të lira. Duhet që të ezaurohen këto spitale që të hapet spitali Covid 3, tha ministrja.

Manastirliu u pyet edhe për skenarin që është menduar për viktimat që mund të shkaktojë pandemia, por vendosi të mos fliste për këtë gjë.

“Nëse duam të shmangim fatalitetet duhet që të respektojmë rregullat”, tha ministrja.