Nga Dritan Hila
Një gjë është e sigurt kur emëron në qeveri Rama, që emërimi nuk është produkt as i bashkëshortes, as i vajzës e as i djalit, siç i bënte paraardhësi i tij. Është shumë egocentrist për të lënë dafina lavdie edhe brenda familjes.
Teknikisht Rama ka zgjedhur gjithmonë ata që i mbushin mendjen se i përshtaten formatit të tij dhe i bëjnë mirë pasimin e topit. Topin pastaj e gjuan vetë pasi bashkë me fushën janë të tijat. Kështu ka qenë në bashki, parti dhe tani në qeveri.
Shumë kanë kritika për mënyrën e tij të punës dhe bashkëpunimit. Por praktika si kriter i së vërtetës i ka dhënë të drejtë: Ka fituar bashkinë sa herë ka dashur, fitoi PS-në, mandatin e tretë në qeveri, dhe për këtë nuk ia ka për faleminderit askujt përveç vetes dhe aleancave në terren që i ka zgjedhur po vetë.
Madje mandati i tretë ishte më thelbësori për të vulosur autoritetin e tij në PS, në një kohë që treçerekët e titullarëve të këtij formacioni po kërkonin në 2021-in të gjenin tutorët e tyre në PD-në që pritej të vinte në pushtet. Ndaj edhe nuk ia ka për faleminderit asnjërit nga kupola e PS dhe kjo është arsyeja që nuk i begenis shumë që t’ju marri mendje.
Eksperienca e qeverisjes së Fatos Nanos i tregoi që gjithë ata që bënin si kaposhë, i lanë puplat socialistëve dhe përjashto ndonjë individ, tani ju janë harruar emrat për shkak se nuk thoshin asgjë intelektualisht dhe politikisht.
Opozita është më e shkalafitur se kurrë, dhe kjo për shkak të shumë faktorëve ku humbja e 2021-it ishte pika që nisi putrifikimi i saj, humbje për shkaktimin e të cilës Rama ia njeh meritat veç vetes.
Kështu që edhe qeveria është pasqyrim i mendësisë së tij ku show-un e bën vetë, kurse të tjerët do bëjnë punën. Risjellja e Anila Denaj në qeveri dhe promovimi i Igli Hasanit, janë dy asete që e kanë dhënë produktin e tyre në të shkuarën dhe janë garanci serioziteti administrativ dhe profesional.
Mbetet në provë arsimi dhe financa, por të gjithë në atë qeveri janë me pikë të hequra në patentë dhe në varësi të performancës a do vazhdojnë të drejtojnë makinat që ju ka dhënë në përdorim Rama apo në çdo çast mund t’i zbresë që të ecin në këmbë.
Rama nuk kërkon të prodhojë politikanë pasi është ambicioz edhe për një kohë të gjatë që të rrijë në politikë (2030-ta ishte afati që aspironte së fundmi), por instrumentistë të zotë të orkestrës që vënë në pah virtuozitetin e dirigjentit. Dhe koha është ajo që do t’i japë notën./dritare.net