Brenda një nate, Milani rrëzohet nga vendi i parë në të tretin pasi humbja 3-0 në “Stamford Bridge” lë pasoja të rënda në skuadrën kampione të Italisë. Chelsea ku Broja u aktivizua 15 minuta, shkatërron kuqezinjtë të kushtëzuar nga mungesat e shumta në transfertën londineze.
Ndeshje pa shumë histori në ishullin britanik ku skuadra e Graham Potter shpërdoroi shumë dhe mund të kishte shënuar gola të tjerë në dëm të Milanit që duhet të mendojë menjëherë për sfidën e kthimit duke llogaritur edhe ngjitjen e Salsburg në vendin e parë të grupit E pas fitores së ngushtë me Dinamo Zagreb.
9 pikë të plota pas tre ndeshjeve të para për kampionët ne fuqi të Europës, Realin e Madridit që kaloi 2-1 Shakhtar Donetsk. Hasi disa vështirësi skuadra e Carlo Ancelottit pa Courtouis në portë por me Benzema në sulm ku francezi nuk gjeti golin por zhvilloi një ndeshje pozitive duke dhënë sinjale interesante pas dëmtimit 1-mujor. Ringrihet Leipzig me suksesin 3-1 ndaj Celtic por gjermanët mbeten në vendin e tretë me 1 pikë më pak se ukrainasit.
Diferenca të qarta në grupin G ku Manchester City shkatërroi 5-0 Copenhagen me dy gola të Haaland që ngjitet në kuotën e 19 realizimeve sezonale në 12 ndeshje të luajtura ndërsa edhe Borussia Dortmud bindi në testin andaluzian të Sevillas me triumfin 4-1.
Nuk ishte mbrëmja e PSG por me siguri e Lionel Messit që i shënoi skuadrës së 40 në Europë si askush tjetër edhe pse francezët u ndalën në barazim 1-1 nga Benfica që jep sinjale se do të synojë deri në fund kualifikimin.
Fitore në Torinon bardhezi nga Juventusi që arrin suksesin e parë në këtë sezon me rezultatin 3-1 ndaj Maccabi, Haiffa por mbetet në vendin e tretë të klasifikimit me 4 pikë më pak se kryesuesit Benfica e PSG.