Ylli me famë botërore, Dua Lipa ka arritur të ketë një sukses të jashtëzakonshëm. Tashmë ajo ndodhet në turneun botëror “Future Nostalgia”, ku po mban koncertet e saj.
Së fundmi, gjatë një interviste për revistën prestigjioze amerikane të modës dhe mënyrës së jetesës Vogue ku ajo iu përgjigj 73 pyetjeve, ka folur edhe në shqip.
“Ç’ka ka me hongër?” Kjo është fraza që në familjen e Dua Lipës përdoret më shumë. Ishte ky një moment kur ajo foli në gjuhën e saj amtare gjatë intervistës për Vogue.
Origjinën e saj e ka shprehur gjithmonë publikisht. Ndër të tjera, 26-vjeçarja thotë se i pëlqejnë veçanërisht gatimet tradicionale shqiptare të mamasë së saj. Ndërsa thotë se një prej gjërave që ka mësuar të bëjë që kur u shkëput nga familja është të gatuajë.
Në rrëfimin për jetën dhe pasionet, ylli i muzikës pop me origjinë shqiptare u shfaq me veshje intriguese gjatë intervistës së kryer në një prej sallave ku ajo xhiron performancat e saj për koncertet dhe klipet e shumta.
Ajo pohoi se aktualisht nuk është e angazhuar në një marrëdhënie dashurie, teksa ka mbi 5 muaj që është ndarë nga Anuar Hadid.
Aktualisht thotë se është tepër e ngarkuar me turin nëpër botë për prezantimin e albumit Future Nostalgia, prezantimi i të cilit u shty me dy vite për shkak të pandemisë. Gjatë intervistës nuk mungoi edhe performancat e saj në Joga, një prej praktikave shpirtërore më të preferuara të saj.