Kryesore “Çmimet do të bien kur populli do të ngrihet”, Meta: Objektivi ynë...

“Çmimet do të bien kur populli do të ngrihet”, Meta: Objektivi ynë është Edi Rama

Partia e Lirisë kërkoi që qeveria të shfuqizojë bordin e transparencës së karburanteve.

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaroi se edhe pse çmimi i naftës ka rënë në bursat ndërkombëtare, diçka e tillë nuk reflektohet në vendin tonë.

Në një deklaratë për mediat, Meta u shpreh se Bordi i Transparencës po vjedh në mënyrë të pamëshirshme qytetarët shqiptare.

Sipas tij, i gjithë shteti është vënë në shërbim të kryeministrit Edi Rama, të cilin e cilësoi kryeoligark.

“Është e qartë tashmë, kur në bursën ndërkombëtare ku çmimi ka rënë në nivelet më të ulta se para fillimit të luftës, përkundrazi, vetëm këtu në vendin tonë kjo nuk reflektohet. 221 lekë aktualisht në Shqipëri, 170 lekë në Maqedoni, 160 lekë në Malin e Zi.

Kudo merren masa për të mbrojtur qytetarët, për të mborjtur konsumatorët, për të mbrojtur sipërmarrjet e thjeshta, vetëm këtu punohet në funksion të kryeoligarkut, Edi Rama në çdo sektor. Jemi këtu për t’i thënë ndal rrjepjes së pamëshirshme që në këtë krizë të jashtëzakonshme, ku çmimet po shkojnë në qiell, vijojnë të vidhen, të grabiten qytetarët shqiptarë për çdo litër”, theksoi Meta.

Meta u shpreh, se çmimet do të bien kur qytetarët të ngrihen në protesta, duke shtuar se objektivi i forcës politike që ai drejton, është Rama.

Sipas Metës, ora e llogaridhënies përmes referendumit po vjen dhe qytetarët do të vendosin sistemin e kalbur politik para drejtësisë.

“Ne do të bëjmë çdo gjë dhe është e qartë se çmimet do bien kur qytetarët të ngrihen. Do vazhdojmë çdo ditë, jo vetëm të bëjmë denoncime me fakte, por edhe për indeksimin e pagave, do të jemi shumë të qartë dhe jemi shumë të qartë në objektivin tonë. Objektivi ynë është vetëm një, Edi Rama. Ai është kryeoligarku i Shqipërisë, të tjerët janë nënkontratorë të Edi Ramës.

Ora e shtetit po vjen, ora e ligjit po vjen, të jeni të sigurt, ora e qytetarëve të lirë të cilët do e vendosin këtë sistem të kalbur, përfundimisht jo vetëm në muze, por edhe përpara drejtësisë dhe do të instalojmë llogaridhënien përmes referendumit, po vjen dhe nuk do të ndalet. Partia e Lirisë do të bëjë çdo gjë”, theksoi Meta.