Konsumi i kafesë e produkteve të tjera në bare, apo ngrënia e një dreke në restorant, në mars kushtonte më shtrenjtë se një vit më parë.
Sipas INSTAT, që mat ndryshimin vjetor të Indeksit të Çmimeve të Konsumit, ky indeks u rrit me 4.6% në mars 2022, në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë. Kjo është rritja më e lartë në 14 vjet, që prej vitit 2008.
Që nga viti 2014 deri nga fundi i vitit 2020, çmimet e restoranteve e bareve qëndruan pothuajse të pandryshuara, të ndikuar edhe nga fakti që për shumë muaj ato qëndruan të mbyllura. Nga viti 2021 filloi shtrenjtimi i kafeneve ndërsa muajt e fundit edhe restorantet kanë reflektuar rritjen e çmimeve të vajit, mishit të pulës, zarzavateve etj.
“Aktualisht, çmimet e produkteve ushqimore janë rritur 20 deri 30% apo deri në 40% siç është produkti i vajit të lulediellit që përdoret në sasi të lartë në fast food”, thotë përfaqësuesi i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, Enri Jahaj.
Ai ka paralajmëruar më herët se dhe çmimet në bare e restorante do të rriten. Rritja e produkteve bazë nuk është reflektuar të çmimet finale të bareve dhe restoranteve. Produktet bazike siç është uji dhe kafeja, pavarësisht se plastika është rritur, në bare nuk kanë ndryshuar. Shtrenjtimi i produkteve është amortizuar nga fitimet e bizneseve.
Në vend ka rreth 14 mijë bare dhe rreth 4 mijë restorante, duke na bërë ndër të parët në botë për numrin e lokaleve në raport me popullsinë. Ky segment ka dhe nivelin më të lartë të vetëpunësimit në vend, me rreth 37% të totalit. Vetëm në sektorin e akomodimit dhe shërbimit ushqimor ka 18% të të punësuarve në biznesin e vogël, raporton Monitor.