Banka e Shqipërisë vendosi sot të rrisë normën bazë të interesit me 0.5 pikë përqindje duke e çuar atë në nivelin 1%.
Lëvizja e sotme shënon rritjen e parë të normës bazë të interesit në ekonomi që prej marsit të vitit 2011.
Paralelisht, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të rrisë edhe rritjen e normës së interesit të kredisë njëditore nga 0.9% në 1.9%, ndërsa mbajti të pandryshuar normën e interesit të depozitave njëditore në 0.1%.
Duke argumentuar vendimin për të rritur normën bazë, Guvernatori Gent Sejko, tha se goditja inflacioniste që ka shkaktuar sulmi i Rusisë në Ukrainë do të jetë më e fortë dhe më afatgjatë krahasuar me projeksionet e mëparshme. Inflacioni pritet të jetë i lartë dhe sipër objektivit të Bankës së Shqipërisë të paktën deri në fund të vitit të ardhshëm.
“Përditësimi i parashikimeve afatmesme tregon se ekonomia shqiptare do të vuajë pasojat e goditjes. Rritja e çmimeve në tregjet botërore dhe reduktimi i kërkesës së huaj, do të shoqërohen me norma më të larta inflacioni dhe rritje më të ngadaltë ekonomike krahasuar me vlerësimet tona të mëparshme. Megjithatë, vlerësimet e skenarit bazë sugjerojnë se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet gjatë vitit 2022 dhe në afatin e mesëm.
Po ashtu, projeksionet tona tregojnë se rritja ekonomike do të mbetet në territor pozitiv edhe në rast se goditja rezulton më e fortë se vlerësimet aktuale. Nga ana tjetër, goditjet e ofertës dhe qëndrueshmëria e kërkesës së brendshme pritet të pasqyrohen në norma më të larta inflacioni. Sipas skenarit bazë të parashikimeve, inflacioni do të luhatet rreth nivelit 5-6% për pjesën e mbetur të vitit 2022.
Më tej, me qetësimin e pritur të tregjeve ndërkombëtare, inflacioni pritet të vijë në rënie gjatë vitit 2023 dhe të kthehet në objektiv në tremujorin e fundit të tij,” tha Sejko.
Megjithatë, Këshilli Mbikëqyrës nënvizoi se, edhe pas kësaj lëvizjeje, qëndrimi i politikës monetare vijon të jetë stimulues për rritjen e ekonomisë, të punësimit dhe të pagave. Sejko tha se në realitetin e ri të krijuar, ky qëndrim ofron një balancë më të mirë midis rrezikut të përshpejtimit të inflacionit dhe rrezikut të dëmtimit të rimëkëmbjes ekonomike.
Sipas analizës së Bankës së Shqipërisë, politika monetare stimuluese ka gjeneruar tregje financiare të stabilizuara, norma të ulëta interesi dhe kushte të favorshme financimi. Kredia për sektorin privat u rrit me 11.8% në muajin shkurt, duke ilustruar një mbështetje në rritje me fonde, të konsumit dhe investimeve.
Trendi rritës i kreditimit është ndikuar si nga rritja e kërkesës së biznesit dhe të familjeve, ashtu dhe nga politikat e favorshme të kreditimit të aplikuara nga sektori bankar. Ky sektor vijon të karakterizohet nga bilance likuide e të shëndetshme dhe rënie e kredive me probleme.