Në votimet për çmimet FIFA të akorduara mbrëmjen e djeshme në një ceremoni madhështore të zhvilluar në Londër, mes shumë personaliteteve të botës së futbollit votuan edhe trajneri i kombëtares sonë Kristian Panuçi dhe kapiteni Ansi Agolli.
Votat e tyre deri diku respektuan edhe vendimin përfundimtar të jurisë së përbërë nga trajnerët dhe kapitenët e kombëtareve të Federatave që janë pjesë e Institucionit më madhor në nivel futbollistik.
Për lojtarët
Numri 1 i stolit kuqezi vlerësoi me pesë pikë Kristiano Ronaldon, me tri pikë Lionel Mesin dhe një pikë brazilianin Nejmar. E ngjashme edhe vota e kapitenit tonë, i cili pikët maksimale i dha për portugezin e Realit të Madridit. Tri pikët e Agollit shkuan gjithashtu për “Pleshtin”, ndërsa një pikë ia rezervoi legjendës së Juventusit, Xhanluixhi Bufon, rivali ynë në ndeshjen e fundit për eliminatoret e Botërorit “Rusi 2018”.
Për trajnerët
Kristian Panuçi ka “tradhtuar” italianët e tij, sepse nuk ka zgjedhur as Alegrin dhe as Konten si trajnerin më të mirë të vitit që lamë pas. Numri një i Kombëtares shqiptare ka votuar për Zinedin Zidanin si trajnerin më të mirë të vitit dhe i ka dhënë 5 pikë. Fitorja e Champions-it për të dytën herë radhazi, por edhe triumfi në kampionat e kanë bindur Panuçin që të zgjedhë Zizunë si trajnerin e sezonit të shkuar, shkruan PanoramaSport.
Ndërkohë që tri pikë ia ka dhënë strategut të Juventusit, Masimiliano Alegri, dhe një pikë Diego Simeones. Interesant është fakti që Panuçi nuk ka preferuar Konten, i cili ishte finalisti i tretë.
Të njëjtën linjë mendimi dhe votash ka pasur edhe kapiteni Ansi Agolli, i cili ka zgjedhur si trajneri kuqezi. Edhe për mbrojtësin e Kombëtares Agolli si trajneri më i mirë është Zidan, të cilit i ka dhënë 5 pikë, ndërsa i dyti Alegri. Diferencën mes tyre e bën trajneri i tretë. Për Agollin është numri një i Totenhemit, Mauricio Poçetino, të cilit i ka dhënë 1 pikë