Politika Çmimi i energjisë, Rama i përgjigjet biznesit: Sikur kanë ardhur nga Hëna...

Çmimi i energjisë, Rama i përgjigjet biznesit: Sikur kanë ardhur nga Hëna dhe nuk shohin ç’po ndodh në Tokë

Shqipëria është ndër të paktat vende në botë që nuk ka rritur çmimin e energjisë elektrike pas pasoja që ka prodhuar lufta në mes të Europës mes Rusisë dhe Ukrainës.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp nga Kryeministria, Edi Rama tha se qeveria shqiptare ka ndërmarrë politika për të mbrojtur konsumatorët dhe bizneset nga rritja e çmimit të energjisë elektrike.

Ai iu përgjigj edhe kërkesave të biznesit dhe i cilësoi ato “qiqra ndërkohë që hell i nxehtë rrotullohet në ijët e Europës”

“Ne jemi i vetmi vend apo me ndonjë përjashtim, jemi ndër vendet shumë të pakta që nuk e kemi prekur çmimin e energjisë. Në të gjitha komunikimet që kam pasur me kolegët në vigjilje të këtij samiti, çështja themelore ka qenë pikërisht çështja e rritjes së çmimeve të energjisë që në vendet fqinje që nga Kosova lart dhe në Greqi poshtë apo në Itali ka ndikuar shumë fort në faturën e shpenzimeve të konsumatorëve familjarë pastaj biznesit po e po. Ne jemi zotuar që do bëjmë çmos për ta mbajtur nën kontroll çmimin e energjisë sepse jemi shumë të vetëdijshëm për efektin që ai ka dhe për goditjen psikologjike që sjell në tërësi. Për këtë kemi bërë dhe një ndrysim rrënjësor të gjithë skemës së trajtimit të eksportit dhe importit të energjisë dhe deri tani kemi arritur t’ja dalim gjë që ndodh si rezultat i një sforcoje realisht të madhe nga ana e qeverisë.

Më vjen shumë keq që sot që një grup përfaqësues të komunitetit të biznesit kanë dalë me kërkesa a thua se sapo kanë zbritur nga Hëna edhe nuk kanë informacione për ngjarjet në Tokë. Shpresoj të ketë qenë një inerci në një moment lajthitje sepse të dalësh sot dhe të kërkosh të tilla qiqra ndërkohë që një hell i nxehtë ka filluar të rrotullohet në ijet e Europës është diçka që vetëm këtu mund të bëjë vaki”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.