Pionierët e inteligjencës artificiale, John Hopfield dhe Geoffrey Hinton, fituan çmimin Nobel në Fizikë për vitin 2024, për punën e tyre në zbulimet dhe shpikjet themelore që mundësojnë mësimin e makinerive me rrjete nervore artificiale.
Hans Ellegren, sekretari i përgjithshëm i Akademisë Mbretërore Suedeze të Shkencave, u dha çmimin shkencëtarëve në Stokholm. Hopfield, i cili kryen kërkime në universitetin Princeton në Shtetet e Bashkuara është i njohur për krijimin e një rrjeti që mund të ruajë e rikrijojë modele në imazhe dhe lloje të tjera të dhënash.
Në vitin 1985, Hinton, shkencëtari kompjuterik në universitetin e Torontos në Kanada, i cili njihet si “babai i AI-së,” përdori rrjetin “Hopfield” për të krijuar një model të ri, të avancuar. Pasi mori shembuj nga rrjeti, ai mundi të njihte karakteristika tek të dhënat dhe t’i përdorte ato për të identifikuar elemente specifike në imazhe ose modele të tjera.
Puna e Hopfield dhe Hinton, e cila mbështetej në mjete dhe koncepte nga fizika, hodhi themelet për mësimin makinerik modern.
“Zbulimet dhe shpikjet e laureatëve formojnë bazat e mësimit makinerik që mund t’i ndihmojë njerëzit të marrin vendime më të shpejta dhe më të besueshme, për shembull, kur diagnostikojnë gjendjet mjekësore,” tha Ellen Moons, kryetare e Komitetit Nobel për Fizikë.
Duke folur për gazetarët, Hinton tha se përparimet e drejtuara nga inteligjenca artificiale do të mund të krahasohen edhe me Revolucionin Industrial, por në vend që të tejkalojnë njerëzit në forcën fizike, do të tejkalojnë njerëzit në aftësinë intelektuale.
“Kjo mund të sjellë përfitime të jashtëzakonshme për shoqërinë, por gjithashtu edhe kërcënimin që këto gjëra të dalin jashtë kontrollit,” tha Hinton.
Hinton kaloi plot një dekadë duke punuar me inteligjencën artificiale në Google para se të jepte dorëheqjen vitin e kaluar, duke u bashkuar me një numër të madh ish-punonjësish, të cilët paralajmëruan për rreziqet e mundshme të këtyre sistemeve.