Shqipëria është pjesë e platformës Gavi, që ka një marrëveshje për të marrë një sasi vaksinash që do të prodhohen nga BionTech dhe Pfizer.
Por sipas kësaj marrëveshjeje, vaksina do të jetë e disponueshme për vetëm 20% të popullsisë. Pritet që autoritetet të përcaktojnë shtresat që do të përfitojnë të parat nga vaksina kundër Covid.
Reuters raporton se ditën e sotme Bashkimi Europian njoftoi se kishte siguruar deri në 300 milion doza të vaksinës.
Sipas kushteve të marrëveshjes, 27 vende evropiane mund të blejnë 200 milion vaksina tani dhe të kenë mundësi të blejnë 100 milion të tjerë më vonë.
BE do të paguajë më pak se 19.50 dollarë për vaksinë, i tha Reuters një zyrtar i lartë i BE i cili foli me prodhuesit e vaksinave, duke shtuar se çmimi pjesërisht pasqyron mbështetjen financiare nga BE dhe Gjermania për zhvillim. Rezulton se çmimi në BE do të jetë pak më i lartë se 2 mijë lekë.
Kryeministri Edi Rama tha se vaksina do të shpërndahet falas, por duke qenë se numri i vaksinave do të jetë i kufizuar mbetet për t’u parë se si do të menaxhohet shpërndarja e saj.
Vendimi: As të pasurit dhe as Mbretëresha nuk do e marrin vaksinën të parët
Mbretëresha dhe pjesa tjetër e Familjes Mbretërore në Britaninë e Madhe nuk do kenë privilegjin që të marrin të parët vaksinën kundër koronavirusit të ri. Madje edhe kryeministri Boris Johnson do të duhet të presë radhën. Kështu shkruan Daily Mail.
Sipas saj, askush nuk do të marrë trajtim special kur vendi të nisë aksionin për imunizimin masiv përmes vaksinimit. Një burim qeveritar tha se vaksinat do të shpërndahen vetëm përmes Shërbimit Shëndetësor Kombëtar. Edhe të pasurit nuk do kenë shans që të kapërcejnë radhën.
Rregullorja parashikon që të parët në radhë për të marrë vaksinën do jenë ata që jetojnë në azile.
Më pas do jenë ata mbi 80 vjeç, ku përfshihet edhe Mbretëresha e Anglisë, e cila është 94 vjeç. Pas tyre do të vazhdojnë grupet e tjera të riskut.
Ky vendim vjen pasi kompania Pfizer shpalli se vaksina e tyre ofron 90 përqind mbrojtje ndaj koronavirusit. Kjo vaksinë ka nisur që të prodhohet aktualisht dhe do të nisë të shpërndahet pa u mbyllur viti.