Bota Çmimin Nobel për Mjekësinë 2020 e merr treshja britaniko-amerikane e zbulimit të...

Çmimin Nobel për Mjekësinë 2020 e merr treshja britaniko-amerikane e zbulimit të Hepatitit C

Çmimi Nobel për Mjekësi 2020 iu dha sot britanikut Michael Houghton dhe amerikanëve Harvey Alter dhe Charles Rice.

Juria vlerësoi punën e tyre për zbulimin e virusit të Hepatitit C.

”Kjo treshe po nderohet për kontributin e tyre vendimtar në luftën kundër hepatitit, një problem i madh global shëndetësor që shkakton cirrozë dhe kancer të mëlçisë në të gjithë botën”, tha juria e Nobelit në njoftim.

Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se rreth 70 milionë infeksione të hepatitit C shkaktojnë 400 000 vdekje çdo vit.

”Në fund të viteve ’70, Harvey Alter kishte identifikuar se një kontaminim misterioz i hepatitit ndodhi gjatë transfuzioneve kur nuk ishte as hepatiti A dhe as hepatiti B”, shpjegon juria.

Vite më vonë, në 1989, Michael Houghton dhe ekipi i tij meritojnë zbulimin e sekuencës gjenetike të virusit.

Sa për Charles Rice, ai zbërtheu për shumë vite mënyrën në të cilën replikoi virusi, punë që çoi në shfaqjen e një trajtimi të ri revolucionar në fund të viteve 2010.

”Puna e tyre është një arritje historike në luftën tonë të vazhdueshme kundër infeksioneve virale”, vuri në dukje Gunilla Karlsson Hedestam, anëtare e Asamblesë Nobel që dha çmimin.