Gordon Sondland, sapo shpëtoi veten dhe vuri në rrezik presidencën e Donald Trump-it, thotë CNN.
Ambasadori amerikan në BE deklaroi përpara komisionit të Inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve se ka qenë pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për ta detyruar Ukrainën të hapte një hetim mbi Joe Biden dhe djalin e tij, Hunter.
“Unë ndoqa udhëzimet e presidentit”, u shpreh Sondland. Pohimi i tij konsiderohet si grusht i fortë për Shtëpinë e Bardhë që këmbëngul se nuk ka pasur lidhje mes ndihmës ushtarake apo vizitës së presidentit ukrainas në Washington, dhe hetimeve për ish-zëvendëspresidentin amerikan.
“Ishin të gjithë në dijeni. Nuk ishte sekret. Të gjithë u informuan përmes email-it në 19 korrik, disa ditë përpara telefonatës presidenciale. Siç ia transmetova dhe ekipit, i thashë paraprakisht presidentit Zelensky se garancitë për të kryer një “hetim të plotë e transparent“ dhe “për të kthyer çdo gur”, ishin të domosdoshme në bisedën e tij me presidentin Trump”, u shpreh Gordon Sondland.
Sonland pohoi qartë se ka ekzistuar kushtëzimi, një veprim që në SHBA njihet si “quid-pro-quo”. Sondland deklaroi se ka punuar me avokatin personal të Trump-it, Rudy Giuliani, “për të thyer bllokadën” dhe për të garantuar sërish ndihmën për Kievin, një ndihmë që mbërrinte në qindra miliona dollarë.
“Giuliani ka shprehur dëshirën e presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe ne e kemi ditur se këto hetime kanë qenë të rëndësishme për kreun e shtetit”, është shprehur ambasadori.
Dëshmia e Ambasadorit amerikan në BE, Gordon Sondland, u prit me vëmendje maksimale nga ligjvënësit dhe mediat amerikane. Zyrtari i profilit të lartë, një manjat i biznesit të hotelerisë, i pat dhuruar 1 milion dollarë komitetit organizator për inaugurimin e Presidentit Trump në vitin 2017. Në mars 2018, Presidenti Trump e emëroi atë ambasador në Bashkimin Evropian. Tashmë, ai e gjen veten në epiqendër të zhvillimeve politike për shkak të angazhimit të tij, nga Brukseli, me çështjet e Ukrainës.