Kompania që ambalazhon Coca-Colën në Itali ka kërcënuar nëpërmjet numrit një të saj, Luca Busi, se do të transferojë të gjitha njësitë e saj të prodhimit nga Catania, në Shqipëri, Tiranë.
Kompania Sibeg e cila merret me ambalazhimin e produkteve të Coca-Cola në Itali është ortake në masën 74.69% e kompanisë simotër në Shqipëri, e cila mban emrin “Coca-cola Bottling Shqipëria” (CCBS), e që është në tregun vendas që prej vitit 1993.
Ka qenë pikërisht drejtuesi ekzekutiv i kompanisë, Luca Busi, ai që ka deklaruar se ndihen të detyruar të transferohen në Shqipëri.
Presidentja e kompanisë ndërkohë, Maria Cristina Elmi Busi Ferruzzi, është njëkohësisht edhe zv.Presidente e Konfindustrias shqiptare. Vendimi i kompanisë për t`u transferuar në Shqipëri vjen si rrjedhojë e hyrjes në fuqi të dy taksave të reja në Itali; taksa e sheqerit dhe ajo e plastikës. Të dyja këto taksa duket se rëndojnë së tepërmi mbi kompaninë, e cila ka qindra të punësuar, ndërkohë që janë 151 ata që rrezikojnë vendin e punës në njësinë e Catanias.
“Një qeveri që nuk dëgjon arsyetimin e sipërmarrjes, me strategji politike të kundërta me objektivin për rritjen e punësimit dhe zhvillimin industrial, nuk bën gjë tjetër veçse shton pasiguritë në vend, duke destabilizuar një sistem që mezi mbahet në këmbë.
Jemi të dekurajuar dhe të zhgënjyer. Kemi patur një takim me ministrin dhe të gjitha forcat politike dhe i kemi shpjeguar se, fatkeqësisht do të jemi të detyruar të transferojmë pjesën më të madhe të njësive tona prodhuese në Tiranë”, deklaroi Luca Busi.