Tre ekipe shqiptare, Partizani, Ballkani dhe Struga, janë ende në garë pas fitoreve në turin e parafundit të ndeshjeve me eliminim direkt, sa i takon trofeut të UEFA Conference League.
Me një tjetër paraqitje bindëse në Elbasan Arena, Partizani arriti të mposhtë ekipin e Valmeiras, duke u kualifikuar me rezultatin e përgjithshëm 3-1.
Struga, ndërkohë pësoi humbje në përballjen me Swift Hesperange në shtëpinë e këtyre të fundit, 2-1, por falë rezultatit të ndeshjes së parë në shtëpi, të cilën Struga e fitoi 3-1, arriti të kualifikohej.
Ballkani i Ilir Dajës, ndërkohë vijon me paraqitjet tejet pozitive në kupa, ku mundi me rezultat 1-3 ekipin Lincoln Red Imps FC dhe me rezultat të përgjithshëm 1-5 u kualifikua në fazën playoff.
Sfidat e radhës nuk janë të pamundura, me Ballkanin që ka përballjen më të fortë ndaj Bate Borisov. Këta të fundit u eliminuan nga Europa League mbrëmjen e djeshme dhe kalojnë kështu në playoff-in e Conference League.
Ndeshje më e lehtë është ajo e Partizanit përballë Astanës, por sërish një përballje për të mos u nënvlerësuar.
Ndërsa, nga tre ekipet shqiptare, Struga e Shpëtim Duros pati edhe fatin më të madh në short, duke qenë se playoff-i e vendos përballë islandezëve të Breidablik, në letër një ekip më i lehtë dhe me shanse të mëdha kualifikimi.
Takimet e para për tre klubet shqiptare do të zhvillohen të enjten, më 24 gusht, ndërsa më 31 gusht zhvillohen edhe takimet e dyta, ku do të mësohen zyrtarisht ekipet pjesëmarrëse në Conference League.