Sport Conte: Arbritrat? Duhet të mendojë klubi. Jam i lumtur me Vidal

Conte: Arbritrat? Duhet të mendojë klubi. Jam i lumtur me Vidal

Pas ndeshjes së Ligës së Kampionëve, Interi pret Parmën në kampionat. Në prag të kësaj sfide, Antonio Conte bëri një vlerësim të situatës, duke u përqendruar kryesisht te mungesat e mëdha. Në “San Siro” nuk do të jetë Romelu Lukaku, i frenuar nga një problem muskulor: “Ai pësoi këtë problem muskulor gjatë ndeshjes kundër Shakhtar, kur ekzekutoi goditjen e lirë. Ende e ka këtë shqetësim. Është e drejtë ta rikthejmë në mënyrën më të mirë të mundshme, pa rrezikuar fare. Lukaku është një lojtar i rëndësishëm për ne, veçanërisht kur mungon edhe Sanchez. Ne po monitorojmë situatën, po përpiqemi të veprojmë për më të mirën e lojtarit dhe Interit. Na vjen keq, sepse do të na duhej në këtë periudhë, kur po rikuperojmë disa lojtarë nga virusi. Por, ne mund të bëjmë mirë, pavarësisht se mungesa e tij ndjehet”.

Kundër Parmës, reparti ofensiv do të riformatohet, ngaqë nuk do të jetë as Sanchez: “Alexis nuk është gati, duhet të presim që mjekët të japin ditën jeshile. Në këtë situatë duhet të jesh i durueshëm dhe të përpiqesh të fitosh përvojë në gjërat që ndodhin. Lojtarët duhet të marrin përgjegjësi të madhe në kombëtaret e tyre, ndonjëherë detyrimi i situatave të caktuara mund të bëjë keq. Gagliardini duket në rregull, është stërvitur në shtëpi dhe parametrat i ka të mira. Vidal duket më i pjekur tani. Jam i lumtur për të, na ka sjellë personalitet dhe eksperiencë. Në këtë periudhë është dashur të luajë gjatë gjithë kohës, shpresoj t’i jap një pushim”.

Conte pastaj i dërgon një tjetër mesazh të qartë klubit në lidhje me disa episode të pafavorshme të arbitrimit: “Unë mendoj se është e drejtë të bëjmë vlerësimet e nevojshme dhe klubi të thotë fjalën e vet në situata të caktuara. Nuk është mirë që trajneri të ekspozohet gjithmonë. Ne jemi të përqendruar në fushë, menaxhmenti kujdeset për pjesën tjetër”.

Në funksion të ndeshjes kundër Parmës, trajneri po mendon të aktivizojë Ivan Perisic në rolin e sulmuesit: “Perisic tashmë ka luajtur si sulmues në periudhën parasezonale, vitin e kaluar. Ka karakteristika të tilla, që mund të luajë si sulmues. Ai mund të jetë një alternativë e rëndësishme për dyshen sulmuese. Gervinho në janar? Ai është një lojtar i shkëlqyeshëm, por jam i kënaqur me ato që kam. Nuk po mendoj për janarin”.