Italia arriti në finale me plot merita. Sepse u tregua se ishte më e plotë se çdo kundërshtar, e aftë për të trajtuar situata të ndryshme loje, si në fazën e posedimit, ashtu edhe të mosposedimit. Gjithmonë duke u përpjekur të ruajë idenë, identitetin dhe stilin e vet, por gjithashtu duke ditur të përshtatet me cilësitë fizike, teknike dhe taktike të kundërshtarëve, për të gjetur mënyrën më të mirë për të marrë rezultatin maksimal.
Herë dominoi, herë të tjera tregoi qëndrueshmëri, karakter dhe frymë sakrifice, duke rritur cilësitë kolektive dhe individuale. Merita e madhe e Mancini është që i ka dhënë ekipit aq shumë njohuri, sa lojtarët tregojnë se kanë memorizuar gjithçka. Trajneri duhet të jetë krenar për këtë. Një lojë mund të fitohet ose humbet edhe për episode, por ata që studiojnë futboll e dinë se sa punë qëndron pas një serie të gjatë rezultatesh pozitive (33 ndeshje).
Shkuarja në këtë finale Europiani kanë rrënjë të thella. Nga ana tjetër, futbolli italian ka qenë gjithmonë i përbërë nga studimi, aplikimi dhe njohuria. Do të ketë një arsye pse pothuajse gjithmonë shkon deri në turne të mëdha. Kjo Itali mbetet një garanci. Historia e axurrëve e përforcon këtë. Antonio Conte, për “Gazzetta dello Sport”, bën një analizë të këtij Europiani, duke u fokusuar kryesisht tek Italia.
Bari i fqinjit – “Shpesh në Itali na duket bari i fqinjit më i gjelbërt se i yni. Por nuk është gjithmonë kështu. Trajnerët italianë janë ndër më të mirët, më të kompletuarit dhe më të përgatiturit në botë. Dhe ata dinë t’i transferojnë njohuritë e tyre: ndërtimi i lojës nga mbrapa, shfrytëzimi i driblimit me qëllim të vertikalizimit të lojës dhe, për disa vite tani, gjithashtu duke bërë një presion ultra-ofensiv, duke lënë një kundër një në fazën mbrojtëse. Por, në të njëjtën kohë, kur është e nevojshme, ne dimë ta rreshtojmë veten, të mbyllim hapësirat, të zëmë gjysmën e fushës, të mbrohemi, të fillojmë përsëri. Në futboll për të fituar duhet të dini të bëni gjithçka, bazuar në momentet e ndeshjes. Nëse jeni i mirë vetëm në një gjë, nuk është gjithmonë mjaftueshëm. Lojtarët tanë janë trajnuar për t’i menaxhuar të gjitha fazat e ndryshme të lojës. Ka raste në të cilat duhet të shtypni lart, të tjerat kur duhet të patrulloni në mesfushë dhe në gjysmën tuaj. Ndonjëherë ju jeni të detyruar ta bëni atë nga kundërshtari. Shpesh termi rifillim përdoret thjeshtësisht për të përshkruar një veprim ofensiv. Ky i fundit është vetëm dhe ekskluzivisht kur nuk keni posedim të topit dhe e “vidhni” atë nga të tjerët. Nëse, nga ana tjetër, keni topin, rifillimi nuk ka kuptim; por ndërtimi i lojës që mund të fillojë nga portieri dhe mbrojtja, nga mesfusha ose në gjysmën kundërshtare të fushës, nëse kundërshtarët mbrojnë thellë.
Muri italian – “Me gjithë respektin e duhur për të gjithë lojtarët e tjerë, forca e Italisë përfaqësohet sot nga treshja Donnarumma-Bonucci-Chiellini. Të tre së bashku i japin siguri të gjithë ekipit. Unë e konsideroj Donnarumma një nga tre portierët më të mirë në botë: vendimtar në portë, i guximshëm në daljet e tij dhe i aftë me këmbë. Për Bonucci dhe Chiellini, çfarë të them? Përkundër një mijë betejave, ata ende nuhasin gjakun. Mentaliteti fitues, përvoja, karakteri, forca. Në menaxhimin e momenteve ata janë dy lojtarët kryesorë absolutë në rol”.
Respekt, jo frikë – “Anglia është një ekip i fortë, me shumë shigjeta në hark. Në pjesën e jashtme është e rrezikshme, sepse ndryshe nga Spanja, e cila tentonte të rrotullojë topin, anglezët gjithmonë të drejtojnë ty te dyluftimi një kundër një. Driblime, pasime dhe mbivendosje. Anglia nuk ka vetëm Sterling, por edhe Saka, Foden, Sancho, Grealish. Dhe pastaj sigurisht Harry Kane. Shumë e vlerësojnë aftësinë e tij për të marrë topin dhe luajtur me ekipin. Si me rastin e “xhepimit” në barazimin ndaj Danimarkës.
Natyrisht, në mes të zonës është shumë i fortë, një snajper dhe si trajner gjithmonë do ta mbaja atje, sepse mund të jetë shkatërrues. Në mesfushë kanë dy mesfushorë shumë fizikë, si Rice dhe Phillips, lojtarë të këmbës, që japin ekuilibër, por nuk vertikalizojnë shumë. Një nga pikat e tyre të dobëta? Nëse mbrojtja shtypet në ndërtim nga prapa, ata janë më pak të mirë se Spanja në shmangien e presionit të kundërshtarit. Por, nëse shkoni me një presion ultra-ofenisv, atëherë duhet të keni kujdes me “shigjetat” e tyre përpara”.
Efekti “Wembley” – “Anglia ka qenë duke pritur për këtë ndeshje një jetë të tërë. Ata kurrë nuk kanë fituar Kampionatin Europian dhe triumfi i tyre i vetëm në Kupën e Botës është më 1966. Ndihma e “Wembley” mund të jetë një nxitje e madhe, por edhe një stepje, sepse lojtarët mund të ndjenin presionin. Kur u gjetën në disavantazh ndaj Danimarkës, anglesët treguan disa vështirësi emocionale, si dhe në fillim të shtesës së dytë nga frika se mos kualifikimi mund të zhbëhej. Ne do të kemi më pak mbështetje në tribuna, por më shumë përvojë se ata në fushë. Ne e dimë se çfarë do të thotë të luash në finale. Dhe ne, gjithashtu, e dimë se si fitohet”.