Bashkëpunimi mes Antonio Contes dhe Interit mund të mbyllet pas vetëm një sezoni, është ky lajmi i bujshëm që ka publikuar gazeta më e madhe sportive në Itali, Gazzetta Dello Sport.
Deklaratat e fundit të Antonio Contes pas dy rezultateve negative ndaj Bolonjës dhe Veronas kanë bërë të qarkullojnë zëra se tekniku nga Leçe mund t’i japë lamtumirën klubit zikaltër në fund të këtij sezoni siç ndodhi me Juventusin në 2014-ën duke u dorëhequr në mënyrë të papritur.
Interi dhe presidenti Steven Zhang nuk kërkojnë të prishin projektin që kanë nisur me Conten, por nëse nuk plotësojnë kërkesat në merkato të 51-vjeçarit, ai mund të ndërpresë vetë në mes projektin që ka nisur me zikaltrit, pasi Conte njihet për temperamentin e tij.
Mediat në Itali tani kanë nxjerrë edhe emrin e trajnerit që mund ta pasojë Conten dhe ai është Max Allegri. Të njëjtën gjë ai kishte bërë edhe te Juventusi në vitin 2014. Tekniku është i lirë dhe pret një projekt serioz që të rikthehet në pankinë. Alternativat për të kanë qenë disa, por kërkon të marrë një ekip që në fillim të sezonit. Nëse Allegri do të merrte drejtimin e Interit falë edhe raportit të shkëlqyer që ka me Beppe Marottan, atëherë ai do të bëhej trajneri i tretë në histori që ka drejtuar zikaltrit, Milanin dhe Juventusin. Më parë diçka të tillë e kanë bërë emra të njohur Giovanni Trapattoni dhe Alberto Zaccheroni.