Ndërprerja e futbollit solli një humbje të madhe ekonomike për thuajse të gjithë klubet, por trajneri i Interit, Antonio Conte është munduar të gjejë gjërat pozitive edhe në këtë situatë, gjë që e ka zbuluar në një intervistë për mediat kineze.
“Ndërprerja ishte diçka e re dhe e panjohur për të gjithë, por mua dhe stafit tim na shërbeu për të analizuar punën e bërë në 7 muaj, për të nxjerrë në pah gjërat pozitive dhe ato që duhet të përmirësojmë. Kemi punuar shumë edhe gjatë kësaj kohe, ndërsa për periudhën post-pandemi kemi hartuar një program nga i cili jam mjaft i kënaqur, pasi lojtarët janë mirë fizikisht dhe nuk kemi vuajtur dëmtime”, tha tekniku i Interit.
Objektivat e mbetur ende janë titulli kampion, ndonëse është shumë e vështirë pasi janë 9 pikë larg kreut, por edhe Europa League, që do të luhet në muajin gusht. Vetë Conte flet me kënaqësi për punën që po bëhet te zikaltrit dhe thekson se pret që futbollistët e tij tani e në vijim ta hedhin vështrimin më lart.
“Unë kënaqem kur shoh punën që bëhet çdo ditë dhe përmirësimi ne lojtarëve që kanë ardhur këtu pa shumë eksperiencë. Dua të përmirësoj ata dhe veten, ndaj më vjen mirë që nga dita në ditë po e hedhim vështrimin lart e më lart. Kemi rikuperuar të gjithë futbollistët dhe kemi organikë të plotë në dispozicion, ndërsa te lojtarët shoh gatishmërinë për të bërë më të mirën në pjesën e mbetur të sezonit, ndaj jam optimist që do të njohim rritje të vazhdueshme”, u shpreh Conte.