Antonio Conte ka revolucionarizuar Interin brenda disa muajsh, duke e çuar atë në pozita rivalizuese për titullin me Juventusin. Për momentin, të dyja skuadrat ndajnë kreun e Serie A, me pikë të barabarta.
I ftuar nga Fabio Fazio në “Che tempo che fa”, trajneri zikaltër tregoi për marrëdhënien e tij të vështirë me humbjen: “Unë e shijoj shumë pak fitoren. Humbja, nga ana tjetër, rëndon shumë më tepër mbi mua. Kur humbet Interi, hidhërimi zgjat të paktën dy ditë. Nuk është e lehtë as për familjen time. Është sikur të jeni duke përjetuar një zi të përkohshme”.
Conte tha se ishte i lumtur me progresin e bërë në muajt e parë te zikaltrit: “Jam i lumtur, por nuk kemi fituar ende asgjë. Sapo kemi filluar një udhëtim. Ajo që kam përbrenda, kur bëj punën time, është pasion i pastër”.
Trajneri nga Salento tregoi, gjithashtu, një anekdotë që lidhej me shkuarjen e tij te Juventusi si lojtar, me Boniperti dhe Gianni Agnelli: “Boniperti më çoi nga selia e klubit në rezidencën e Agnelli. Pasi u rehatuam në një dhomë shumë të bukur dhe të bollshme, filluam të bisedonim. Ai më pyeti për golat e karrierës. Në fakt, deri në atë moment kisha shënuar vetëm një gol. Shikova nga Boniperti dhe i thashë: Ndoshta keni bërë një blerje të gabuar… Në fund i thashë se kisha shënuar disa gola, luaja si mesfushor dhe isha mjaft energjik”.