Pasi zgjidhi me marrëveshje kontratën me Interin, Antonio Conte është vetëm një hap larg rikthimit të Premier League, ku ka fituar një titull kampion me Chelsean në sezonin 2016-2017.
Destinacioni i radhës do të jetë sërish Londra, por këtë herë Tottenhami, që pas shkarkimit të Jose Mourinhos, është në kërkim të një trajneri të besueshëm për të ringritur klubin në nivele të larta.
Presidenti i “Spurs”-ave Daniel Levy ka nisur prej ditësh kontaktet e vazhdueshme me Conten dhe deri tani kanë arritur akordin mbi pagën, që pritet të jetë e njëjtë me atë të Jurgen Klopp, pra 17 milionë euro në sezon.
Aktualisht palët po diskutojnë për kohëzgjatjen e kontratës dhe mbi të gjitha për garancitë sportive, pasi Conte ka vënë si kusht mbajtjen në skuadër të kapitenit Harry Kane, i cili po kërkohet me ngulm edhe nga Manchester City.
Sipas “The Mirror”, trajneri puljez i ka kërkuar bosit të Tottenhamit ruajtjen e pjesës më të madhe të titullarëve aktualë dhe përforcimin me të paktën 5 emra gjatë merkatos së verës, tre prej të cilëve janë futbollistë të Interit.
Bëhet fjalë për mbrojtësin sllovak Milan Skriniar, anësorin kroat Ivan Perisic dhe fantazistin danez Christian Eriksen, i cili njeh mjaft mirë ambientin në klubin londinez, pasi ka luajtur atje për disa sezone, para se të transferohej në Milano.
Dy të tjerët janë mesfushori serb Nemanja Matiç dhe sulmuesi francez Olivier Girdoud, të dy futbollistë që Conte i ka stërvitur gjatë kohës që ka punuar te Chelsea dhe dëshiron t’i ketë sërish me vete.