Humbja ndaj Realit të Madridit në “San Siro” ishte edhe fundi i eksperimenteve për Antonuio Conten, që vendosi të heqë dorë nga prova për të luajtur me një fantazist pas dyshes sulmuese dhe u rikthye te rreshtimi i tij i preferuar 3-5-2.
Rezultati ishte i menjëhershëm, pasi Interi bëri të dukej e lehtë një transfertë e komplikuar si ajo ndaj Sassuolos, ku fitoi 0-3 dhe më pas shënoi 3 gola edhe në portën e Borussia Monchengladbach, ku triumfoi me rezultatin 2-3 dhe rindezi shpresat për kualifikim në fazën e 1/8-ave të Champions League.
Mediat italiane kanë analizuar edhe 4 ndryshimet që ka pësuar Interi në dy ndeshjet e fundit, duke u rikthyer të luajë si skuadër e madhe dhe duke bindur me performancën e saj.
1- Gjendja psikologjike – Antonio Conte ribashkoi ekipin edhe në dhomat e zhveshjes, duke qëndruar shpesh në këmbë si rrufepritës, në çdo moment vështirësie. Filloi të dallohej qartë sjellja e Contes në publik, me atë në stërvitje, ku lojtarët e përshkruajnë si një “çekiç që u rri mbi kokë”. Megjithatë së fundi trajneri u rikthye agresiv në daljet mediatike dhe teoria “ne kundër të gjithëve” duket se po funksionon.
2- Taktika – trajneri zikaltër hoqi dorë përfundimisht nga eksperimenti për të luajtur me 3-4-1-2, pra një fantazist pas dyshes sulmuese dhe arriti të gjejë menjëherë ekuilibrat e duhur. Tashmë skuadra luan me rreshtimin 3-5-2 dhe një organizator para mbrojtjes, që kujdeset për të ruajtur ekuilibrat dhe dikton kohët e daljes në sulm. Me skemën me fantazist skuadra kishte humbur kontrollin e topit, që nga 61.5% kishte rënë në 44.4% dhe epërsinë territorial që kishte rënë nga 59.5% në 45.6%. Siguritë e vjetra mund të duken pak modern, por garantojnë qëndrueshmëri dhe rezultate të mira.
3- Gjendja fizike – Pandemia ka ndryshuar dhe po ndikon jo pak në të gjithë klubet, por pas ndërprerjes së parë në muajin tetor, Interi u godit nga koronavirusi dhe 6 të prekur, plus të tjerë të dëmtuar, ndikonin jo pak në ndërtimin e formacionit. Tani zikaltrit kanë marrë frymë në këtë aspekt dhe më në fund Conte ka kohë të mendojë edhe për të lënë pushim lojtarë të caktuar si Lukaku, Barella apo Lautaro.
4- Qasja në fushë – Nuk është më Interi i fillimit të sezonit ,që reagonte vetëm pasi pësonte një gol, pasi tani zikaltrit futen të bindur për të fituar që në sekondën e parë dhe kjo u pa qartë edhe ndaj Sassuolos, ku shënuan dy gola për 13 minuta, por edhe ndaj Borussia Monchengladbach, ku kërkonin kontrollin e lojës vazhdimisht.