Fitorja kundër kampionëve të Europës mund të përfaqësojë një pikë kthese përfundimtare për Juventusin, në një sezon që filloi keq. Skuadra e Allegrit, falë golit të Chiesa, mundi Chelsea dhe mori kreun e grupit H të Ligës së Kampionëve. Një sukses prestigjioz dhe i çmuar, i cili u lartësua gjithashtu nga Antonio Conte, në komentet e tij për “Sky”.
Një fitore e lindur nga organizimi, sakrifica dhe kompaktësia, për të cilën merita të mëdha duhet t’i njihen edhe Massimiliano Allegri. Trajneri arriti të përfitonte sa më shumë prej grupit, pavarësisht mungesave të Morata dhe Dybala. Antonio Conte e përgëzoi: “Ishte një fitore e rëndësishme, rezultat i një strategjie. Allegri donte ta fitonte këtë ndeshje, pak rëndësi ka se si. Ai lejoi shumë pak hapësira, pastaj duke shfrytëzuar rinisjet, ku Chiesa ishte vdekjeprurës, rrezikoi në disa raste. Juventusi merr 3 pikët, vendin e parë në grup, suksesin kundër kampionëve të Evropës dhe në të njëjtën kohë kolaudon këtë frymë”.
Pavarësisht nga posedimi i topit, apo mënyra se si ai luan, Allegri kishte gjetur çelësin e duhur të mërkurën në mbrëmje. “Ne mund të flasim për posedimin, jo posedimin, për gjithçka, por shpirti është gjithashtu i rëndësishëm”, – shtoi Conte.
Prandaj, Juventusi i vërtetë e ka parë veten përsëri, pas hapave të gabuar të fillimit të sezonit, në rrugën e duhur. Kjo është arsyeja pse Conte nënvizoi gjithashtu trashëgiminë e rëndësishme që kjo ndeshje mund të lërë në funksion të pjesës tjetër të sezonit, madje edhe në Serie A, ku do të jetë e nevojshme të gjendet ritmi i Champions-it në ndeshjen e ardhshme, që nuk është gjë tjetër veçse derbi kundër Torinos. “Për Juventusin, gjithashtu, fakti që nuk ka pësuar gola në Champions është një arsye për besim”, – tha Antonio Conte.
“Chelsea nuk di si ta përdorë Lukakun”
Chelsea ka dështuar të kuptojë se si përdoret Romelu Lukaku, me ish-trajnerin e bluve të Londrës dhe Interit, sipas Antonio Conte, që vë në pikëpyetje qasjen taktike të Thomas Tuchel.
Conte, që e pa Lukakun të frymëzonte skuadrën e tij të Interit për titullin e Serie A, sezonin e kaluar, tha për “Sky Sport Italia”:
“Gjatë lojës ka momente kur Lukaku duhet të aktivizohet nga të tjerët, por përveç kësaj ai është një nga sulmuesit më të vështirë për ta pasur kundër, sepse mund të bëjë dëm në çdo zonë të fushës. Nëse keni një qendërsulmues të tillë, ju duhet ta përdorni atë si duhet. Unë nuk mendoj se Chelsea e ka kuptuar ende se si ta përdorë Lukakun. Sezonin e kaluar, ata nuk kishin një qendërsulmues të duhur, kështu që ndryshuan pozicionet, ndërsa Romelu është një pikë referimi e vërtetë në sulm. Nëse stafi teknik do ta kuptojë se si ta përdorë Lukakun, atëherë Chelsea mund të bëhet skuadra për t’u mposhtur në Ligën e Kampionëve këtë sezon”, tha Conte.