Trajneri i Interit, Antonio Conte, edhe pse skuadra e tij ka fituar pesë ndeshje në pesë dhe ka totalizuar 15 pikë, megjithatë nuk është ende i kënaqur dhe kërkon më shumë. Ndeshja e rradhës është ndaj Sampdorias, në “Marassi” të Xhenovës, ndaj duhet kujdes maksimal: “E kam frikë këtë ndeshje, sepse vjen e pestë brenda pak kohësh dhe nuk është e lehtë. Ata do të luajnë fort duke parë dhe se sa pikë kanë, ndërsa Di Francesco është trajner i mirë që përcjell idetë”.
Do të ruani ndonjë futbollist në prag të ndeshjes me Barcelonën në Champions, që është ndeshja e jetës? “Ndeshja e jetës është ajo e rradhës! Pra, Sampdoria. Që do të jetë një ndeshje me “n” të madhe. Lukaku është pjesë e grupit”.
Mbrojtja e hekurt? “Jo vetëm meritë e portierit por edhe e ekipit. Mbrojmë të gjithë bashkë dhe ky është sekreti, por ka edhe shumë gjëra për të përmirësuar, sigurisht. Duhet kohë për procesin që kemi nisur dhe se sa shpejt do të përshtaten me idetë e mia dhe filozofinë do ta shohim në vazhdim”.
“Mbaj mend në vitin 2011 kur fitova titullin me Juventusin që Milani kishte super skuadër, por bëmë shumë pak humbje dhe kjo na dha mundësinë që të përfitonim. Sot, Juventusi dhe Napoli janë pak më lart. Nuk është kampionat i lehtë, aspak, çdo ekip është i fortë. Lazio luan mirë dhe do të vërë këdo në vështirësi, Milani ka klub solid tashmë e kështu me rradhë”.
“Titulli? Kuajt e mirë shihen në fund! Nuk është hera e parë që Interi e nis kaq fort. Madje, deri në dhjetor, ishte i pari vjet. Edhe me Mancinin ka ndodhur po kështu. Duhet të kemi kujdes dhe qëndrojmë me këmbë në tokë”.