Gazeta italiane “Corriere della Sera” ka publikuar pjesë të një projekti për transportin e ujit të pijshëm nga Shqipëria në Itali. Në shkrim jepen detaje se projekti nuk është vetëm një ide, por ka shifra dhe përllogaritje të investimit. Për këtë projekt nuk ka pasur asnjë koment deri tani nga autoritetet shqiptare.
Bëhet fjalë për një tubacion nënujor që do të nisë në Gjirokastër dhe do të përfundojë në Galugnano në Salento. 85 kilometra do të jenë nën ujë ndërsa 120 km nën tokë. Uji do të përdoret për të furnizuar zonat e Basilicata dhe Campania që deri tani kanë pasur nevojë për marrjen e tij nga rajonet fqinje.
Në shkrim thuhet se fillimisht kjo ide është hedhur poshtë duke marrë parasysh studimet e fizibilitetit të bëra kohë më parë. Ajo është rimarrë tashmë nga Presidenti i Confindustria Puglia që përfaqëson edhe kompanitë italiane që prodhojnë në vendin tonë, Sergio Fontana. Në asamblenë e territorit të Barit ai apeloi për rikthimin e vëmendjes tek ky projekt.
“Këtu, në Pulia, ne kemi aftësitë për të qenë një pikë referimi kombëtare për politikën e ujit. Kemi “Ujësjellësin Puliez”, më të madhin në Evropë. Kemi edhe stacionin e parë kontraktues në Pulia. Të bashkuar nga deti Adriatik kemi përballë Shqipërinë. Një vend shumë të pasur me ujë.
Ne kemi marrëdhënie të jashtëzakonshme afërsie me Shqipërinë. Ne kemi një mundësi të madhe për të trajtuar krizën e ujit në mënyrë parandaluese. Ne mund t’i japim jetë këtij projekti të madh dhe ambicioz. Të ndërtojmë një infrastrukturë mbresëlënëse ujore në detin Adriatik midis Pulias dhe Shqipërisë” – tha ai.
Numrat e projektit
Për të ndërtuar infrastrukturën do të duheshin të paktën 4 vjet punë dhe 1 miliard euro. Këto mund të financohen nga Bei, Bers, shteti italian, Rajoni dhe mjetet e veta të Ujësjellësit të Pulias. Qëllimi është të transportohen 150 milionë metra kub ujë në vit në Pulia me një tubacion nënujor që do të arrinte 850 metra nën nivelin e detit në pikat më të thella. Javët e fundit presidenti i Rajonit të Pulias, Michele Emiliano i shkroi kryeministrit shqiptar Edi Rama për të shprehur interesin për këtë projekt.
“Interesat e Pulias dhe Italisë janë të larta në këtë projekt. Kjo duke pasur parasysh thatësirën që ka karakterizuar vitet e fundit. Por edhe Shqipëria do të kishte përfitime duke qenë se do të hapeshin 8000 vende të reja pune direkte dhe indirekte” – e mbyll shkrimin e saj “Corriere della Sera”