Sport “Corto muso” si “markë tregtare”. Juvja, 55 fitore minimale me Allegrin në...

“Corto muso” si “markë tregtare”. Juvja, 55 fitore minimale me Allegrin në stol

Juventusi mori fitoren e dytë radhazi në kampionat, duke mposhtur Fiorentinën 1-0 në “Allianz Stadium”. Për zgjidhjen e ndeshjes në Torino është kujdesur Adrien Rabiot, një nga besnikët e Massimiliano Allegrit.

Goditja me kokë e francezit, e shpëtuar mbi vijën nga Terracciano dhe e vërtetuar më pas nga “Goal Line Technology”, i hapi rrugën fitores së 13-të të “Zonjës së Vjetër” në kampionat.

Tri pikë të mira për moralin dhe mbi të gjitha për një klasifikim të kushtëzuar rëndë nga 15 pikët e zbritura nga renditja (dënimi për çështjen e fitimeve kapitale). Bardhezinjtë në fakt kanë arritur në total 44 pikë në fushë, të cilat praktikisht do t’i çonin ata në vendin e dytë, por sanksioni i vendosur nga Drejtësia Sportive e detyron formacionin e Allegrit të lundrojë në mes të renditjes.

Ndërsa pret rezultatin e apelit në CONI, i cili në letër mund të riformatojë sërish renditjen e Juventusit, Allegri i shton një tjetër “tullë” operacionit të ngjitjes.

Fitorja e ngushtë mbërriti ndaj vjollcëve. Një 1-0 që tashmë është bërë shenjë dalluese e trajnerit nga Livorno, që në këtë aspekt ka përçarë gjithmonë kritikët dhe tifozët, duke vënë përballë dashamirët e pragmatizmit me ata që përveç rezultatit do të donin të shihnin diçka ndryshe në fushë.

Si trajner i Juventusit, Allegri ka drejtuar 353 ndeshje zyrtare, duke marrë 236 fitore. Nga këto 236 suksese, 55 janë arritur me fitore minimale 1-0. E thënë ndryshe, një kuotë fitoresh minimale që arrin në 23% e totalit.

Vetëm këtë sezon, Juventusi ka marrë 7 fitore minimale: kundër Torinos, Lecce, Verona, Cremonese, Udinese, Fiorentina dhe Lazio në Kupën e Italisë. Një “markë tregtare”, me të vërtetë.