Aktorja Courteney Cox ka gjetur mënyrën e saj për të kaluar vetizolimin gjatë pandemisë së koronavirusit: Duke parë “Friends”
Cox i tha moderatorit të mirënjohur Jimmy Kimmel se i kujtohej shumë pak nga seriali hit në të cilin luajti personazhin e Monikës për një dekadë.
“Njerëzit e duan shfaqjen aq shumë, sa unë vendosa ta shoh, është vërtet e mirë! Unë nuk mbaj mend edhe të kem qenë në shfaqje, kam një kujtesë kaq të keqe. Mbaj mend qartë se i dua të gjithë ata që ishin atje dhe argëtohem dhe mbaj mend periudha të caktuara të jetës sime atje, por nuk mbaj mend episodet”, tha ajo përmes lidhjes video.
Shfaqja jashtëzakonisht e suksesshme po ringjallet kohëve të fundit në një brez të ri në Netflix.
Cox ishte duke biseduar me Kimmel në “YouTube Quarantine Minilogue”, të cilin ai e filloi pasi emisioni i tij i bisedave të natës vonë ndaloi transmetimin si rezultat i pandemisë.