Stilisti japonez Kenzo Takada, i njohur botërisht me emrin e tij Kenzo, ka ndërruar jetë sot në Francë pas komplikacioneve të COVID-19, duke tronditur të gjithë botën e modës.
Stilisti 81 vjeçar jetonte në Paris prej vitesh, dhe ishte shtruar në spitalin e Neully-sur-Seine.
Shtëpia e modës me emrin e tij sapo ka përfunduar sfilatat e koleksionit të ri vjeshtë/dimër, të cilat për herë të parë japonezi nuk pati mundësi t’i shohë me sytë e tij, për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore nga virusi.
Kenzo shihej si një nga pionierët e modës ndërkombëtare. Stilisti braktisi studimet për letërsi në vitet ’50 për t’i kushtuar vëmendje modës, që nuk do të braktisë më. Regjistrohet në një akademi mode, Bunka Fashion College, si japonezi i parë mashkull në historinë e saj.
Transferohet në Paris në vitin 1964, dhe në vitin 1970 hap dyqanin e tij të parë, të cilit do t’i pasojnë shumë të tjerë në botë. Në 1988 vjen edhe epoka e parfumeve, që do të kulmojë në vitin 2000 me daljen e “Flower”, padyshim më i shituri dhe i njohuri i tij.
Kenzo prej disa vitesh i përket gjigantit të modës LVMH, por themeluesi i tij ishte gjithmonë i pranishëm në vendimmarrje.