Bota Covid-19/ Izraeli do të rikthejë izolimin total. Edhe në Francë priten vendime...

Covid-19/ Izraeli do të rikthejë izolimin total. Edhe në Francë priten vendime të rëndësishme

Izraeli do të vendosë sërish masën e izolimit total për të frenuar pikun e ri të rasteve me koronavirus. Komisioni shtetëror për Covid-19 i ka propozuar qeverisë një masë të tillë që pritet të zbatohet duke nisur nga e diela. Faza fillestare e izolimit të dytë do të zgjasë dy javë dhe gjatë kësaj periudhe do të shënohet viti i ri hebre.

Nëse do të ketë efektin e shpresuar, masa strikte kufizuese do të lehtësohet gradualisht. Në 24 orët e fundit, Izraeli shënoi 4 mijë raste të reja me koronavirus, një rritje e konsiderueshme krahasuar me një ditë më parë.

Në total, ky shtet numëron 146 mijë të infektuar dhe më shumë se 1 mijë viktima. Izraeli bëhet shteti i parë i botës që vendos masën e izolimit për herë të dytë për të luftuar pandeminë.

Edhe në Francë priten vendime të rëndësishme

Edhe Franca po planifikon të ashpërsojë reagimin ndaj pandemisë së Covid-19, pasi një numër rekord rastesh u raportuan gjatë 24 orëve të fundit.

Infektimet e reja ishin gati 10 mijë, shifra këto që konfirmojnë trendin në rritje të të gjithë parametrave pandemikë. Viktimat ishin 9, ndërsa shtrimet në spital 352, më pak se sa në dy ditët e fundit.

Kreu i Këshillit Shkencor që këshillon qeverinë mbi pandeminë, Jean-Francois Delfraissy, paralajmëroi se vendime të vështira mund të merren gjatë javëve në vazhdim.

Situata është ndërlikuar edhe më shumë nga rihapja e shkollave. Autoritetet shëndetësore kanë mbyllur 32 institucione deri më tani, ndërsa 524 klasa janë dërguar në shtëpi për të zhvilluar mësim në distancë.

Gjatë ditëve të fundit është regjistruar një valë e gripit të zakonshëm, siç ndodh çdo vit me nisjen e shkollës. Por tani, mjafton një teshtimë për të çuar nxënësit në shtëpi. Mjekët e familjes mbyten me telefonata, ndërsa laboratorët apo tendat e ngritura për kryerjen e tamponëve nëpër rrugë dynden me njerëz.

Presidenti francez Emmanuel Macron përpiqet të zbusë shqetësimet, duke konfirmuar se do të merren vendime të rëndësishme, por mbi bazë lokale, e mbi të gjitha pa e lëshuar vetën në asnjë lloj forme paniku.