Më shumë se 20 mjekë grekë, që shërbejnë gjithashtu si deputetë, u zotuan sot të punonin në spitale, për të lehtësuar sadopak ngarkesën e personelit mjekësor, e shkaktuar nga pandemia e COVID-19.
I pari ishte Giorgos Lamproulis, mjek pulmonolog dhe nënkryetari i parlamentit grek.
Të hënën, ai kërkoi të lirohej përkohësisht nga detyrat e tij, në mënyrë që të mund të punonte në një klinikë në qytetin e tij, Larisa. Ai u kërkoi mjekëve të tjerë në parlament të ndiqnin shembullin e tij.
“Sipas mendimit tim, vendi im është tani përkrah kolegëve të mi, mjekëve dhe infermierëve”, tha Lamproulis.
Pas tij, 20 deputetë të tjerë, midis tyre radiologë, kirurgë dhe mikrobiologë, u larguan nga parlamenti për në spitalet shtetërore.