Shëndet Covid-19 mund të shkaktojë goditje në tru tek moshat e reja

Covid-19 mund të shkaktojë goditje në tru tek moshat e reja

Një grup neurologësh të spitalit “Mount Sinai Beth Israel” në Nju Jork kanë ngritur alarmin se virusi Covid-19, mund të shkaktojë Iktus ishemik në tru tek moshat e reja. Ata tregojnë se infeksioni mund të shkaktojë simptoma neurologjike të ndryshme.

Studiuesit mendojnë se ka një numër të madh rastesh të grupmoshave nga 30 deri në 50-vjeç që janë prekur nga Covid-19 dhe që kanë pësuar goditje në tru.

Por ata mendojnë se lajmi për Iktus tek moshat e reja dhe të mesme është një hap përpara për të kuptuar edhe më shumë mbi koronavirusin e ri.

Iktusi tek moshat e reja dhe koronavirusi

Drejtori i Spitalit Qendror Cerebrovaskular i Mount Sinai në Nju Jork, deklaroi se pacientët që mbërritën me mpiksje gjaku në tru u dyfishuan gjatë tre javëve të valës së parë të koronavirusit. Më shumë se gjysma e këtyre pacientëve ishin pozitivë, të rinj dhe pa sëmundje të tjera.

Në materialin që pritet të botohet në revistën shkencore New England of Medicine, ekipi i neurologëve ka paraqitur pesë studime mbi rastet tek pacientët e rinj, veçanërisht tek moshat nga 33 deri në 49-vjeç, të cilët kishin pësuar një aksident vaskulo-cerebral ose siç njihet ndryshe Iktus ishemik në tru.

Këta pacientë kishin pësuar një goditje në tru të shkaktuar nga “okluzioni akut i arterieve”, e cila është një pasojë serioze për trupin e njeriut, por që zakonisht ndodh tek moshat e mëdha, të paktën 74 vjeç e lart.

Por mjekët mendojnë se problemi i mpikjes së gjakut në tru tek pacientët në moshë të re, mund të jetë shkaktuar si pasojë e infektimit nga virusi Covid-19.

Mësohet se tre qendra të mëdha mjekësore në Shtetet e Bashkuara, janë duke e studiuar gjithashtu këtë fenomen.

Sipas të dhënave të para nga Vuhan mjekët atje kishin konstatuar se infeksioni i koronavirusit kishte shkaktuar iktus te shumë pacientë. Por kjo e dhënë deri dje ishte konsideruar një rast i dyshuar klinik. Tani duket se ekziston një lidhje konkrete.

Për momentin ka vetëm disa raste të ekzaminuara për të krijuar një marrëdhënie shkak-pasojë, por sigurisht që këto studime po ofrojnë informacion të ri se si Covid-19 sulmon pacientët e prekur nga virusi.

Iktus, e cila është ndërprerja e papritur e furnizimit me gjak në tru është një problem shumë më kompleks.

Studimet tregojnë se pacientët me koronavirus po përjetojnë kryesisht llojin më vdekjeprurës të goditjes në tru.

Shumë studiues dyshojnë se goditja në tru tek pacientët me Covid-19, mund të jetë një pasojë e drejtpërdrejtë e problemeve të mpiksjes së gjakut.