Aktualitet COVID-19 ndali gjithçka, por jo trafikun e kokainës, Europol: Lulëzoi

COVID-19 ndali gjithçka, por jo trafikun e kokainës, Europol: Lulëzoi

Pandemia e koronavirusit ka bërë që këtë vit të lulëzojë tregtia e narkotikëve, me sasi rekord kokaine të trafikuara nga Amerika Latine drejt Europës.

Sipas analistëve të Europol-it dhe Qendrës Europiane për Monitorimin e Drogave dhe Varësisë prej saj, kufizimet në lëvizje prej Covid-19 nuk ndikuan në kontrabandën nëpërmjet detit.

Në gjysmën e parë të 2020-ës, në portin holandez të Roterdamit u kapën më shumë se 25 mijë kilogramë kokainë apo dyfishi i sasisë së konfiskuar në të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Policia holandeze zbuloi së fundmi edhe laboratorin më të madh të kokainës në historinë e vendit, që përpunonte rreth 200 kilogramë lëndë narkotike me vlerë 6 milionë euro në ditë.

Sipas Europol-it, kokaina në Europë mbërrin kryesisht përmes porteve të Holandës, Belgjikës dhe Spanjës, duke pasur si origjinë kryesisht Kolumbinë, informon oranews.

Holanda konsiderohet vatër kryesore e Europës për trafikimin e narkotikëve për shkak të rrjetit më të mirë infrastrukturor dhe logjistik në lidhje me shtetet e tjera.

Roli i Shqipërisë

Ndërkohë në raportin e vitit të kaluar, Europol-i theksoi se Shqipëria luajti një rol po aq kyç për drogat e lehta si kanabisi, aktivitet që e renditi vendin ndër furnizuesit kryesorë të tregut europian.

Organizatat kolumbiane dhe italiane historikisht kanë pasur peshë qendrore në prodhimin, trafikimin dhe shpërndarjen e kokainës, por konkurrenca vijon të rritet me përfshirjen e grupeve kriminale shqiptare, serbe, britanike, holandeze, frënge, irlandeze, marokene, spanjolle dhe turke.

“Kulmi”

Në vazhdën e luftës kundër drogave, të hënën antimafia italiane në qytetin e Barit në bashkëpunim me autoritetet britanike dhe gjermane, njoftuan arrestimin e një shtetasi shqiptar i shpallur në kërkim për trafikim ndërkombëtar të narkotikëve.

37-vjeçari me inicialet H.E. u ndalua në aeroportin e Londrës si pjesë e grupit të gjerë kriminal të goditur rreth dy muaj më parë nga megaoperacioni italo-shqiptar i titulluar “Kulmi”.

Grupi operonte prej 5 vitesh në mënyrë aktive në qarkun e Vlorës, Durrësit, Tiranës duke mbledhur drogën e kultivuar dhe duke e trafikuar atë në Itali dhe më pas në vendet e Evropës Perëndimore.

Operacioni u finalizua më 30 qershor me arrestimin e 37 personave dhe me sekuestrimin e 40 milionë euro lëndë narkotike dhe miliona euro në asete si prona, automjete dhe vlera monetare.